E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Bruksel nuk e mbështesin më integrimin e Shqipërisë në BE?

Kryeministri Sali Berisha në Librazhd- faqe 3Kryeministri Sali Berisha do thërrasë parlamentin për të votuar tre ligjet e kërkuara nga Brukseli si kusht për marrjen e statusit kandidat.

Nga Besar Likmeta, BIRN

 

Deputetët shqiptarë pritet të mblidhen për të votuar tre ligjet e vendosura si nga Komisioni Europian vjeshtën e shkuar si kusht që vendi të marrë statusin e kandidatit për në BE.

Miratimi i tre ligjeve, që kërkon një shumicë të cilësuar në Kuvend, ka mbetur peng i përplasjes mes opozitës socialiste dhe mazhorancës së qendrës së djathtë që prej zgjedhjeve lokale të vitit 2011.

Javën e shkuar opozita ofroi mbështetje për tre ligjet, me kusht që ligji i ri për Gjykatën e Lartë dhe emërimi i gjykatësve të rinj të hynte në fuqi pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Kryeministri Sali Berisha e pranoi kompromisin dhe thirri parlamentin për votim të enjten, edhe pse seancat parlamentare janë mbyllur dhe ka nisur fushata elektorale.

Ndërkohë, një ekspert thotë se edhe nëse zgjedhjet përmbushin standardet ndërkombëtare, Shqipëria do të duhet të punojë shumë për procesin e anëtarësimit në BE pas viteve të tëra stanjacion.

Për shkak të skenës politike destruktive, Shqipëria tani ka vetëm simpatizues në Bruksel, por jo mbështetës të procesit të integrimit të saj në BE, thotë Gjergji Vurmo, drejtor i Qendrës për Çështjet e Sigurisë dhe Europiane pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Besimi i BE në klimën e dialogut konstruktiv në Tiranë, diçka themelore kjo për këtë fazë të integrimit, është thuajse pranë zeros, shton Vurmo.

*Titulli është redaksional. Titulli në origjinal: Shqipëria nxiton për të shtuar shanset për ofertën e saj në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›