E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperatura deri 43 gradë/ Franca përballet me ditën më ekstreme të të nxehtit, alarm i kuq në gjysmën e vendit

Franca pritet të përjetojë sot ditën më të nxehtë të valës aktuale të të nxehtit, pas një nate përvëluese, me temperatura që mund të arrijnë deri në 43°C në jugperëndim të vendit.

Sipas shërbimit meteorologjik Météo-France, për herë të parë alarmi më i lartë për nxehtësi është lëshuar në rreth gjysmën e territorit të vendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mund të jetë po aq serioze sa vala e të nxehtit të vitit 2003, e cila shkaktoi rreth 15 mijë viktima në Francë.

Në qytetin jugperëndimor Bordeaux pritet që temperaturat të arrijnë deri në 43°C, ndërsa në Paris deri në 39°C.

Nata e kaluar ka thyer rekorde të reja: në Bordeaux dhe Paris temperaturat nuk kanë rënë nën 25°C, duke shënuar netët më të nxehta të muajit qershor ndonjëherë në këto zona. Edhe qytete si Tours dhe Poitiers regjistruan netët më të nxehta në histori, me temperatura mbi 24°C.

Më shumë se 800 shkolla në Francë janë mbyllur, ndërsa rreth 1,800 të tjera kanë ndryshuar orarin e mësimit për shkak të kushteve ekstreme. Ministria e Arsimit ka sugjeruar gjithashtu që prindërit të mbajnë fëmijët në shtëpi ose t’i marrin më herët nga shkolla për t’iu shmangur temperaturave të rrezikshme në klasa.

Autoritetet në rajonin e Parisit u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi, duke paralajmëruar edhe probleme në transportin publik, pasi hekurudhat mund të mos përballojnë temperatura mbi 50°C në disa raste.

Gjatë fundjavës, 13 persona kanë humbur jetën nga mbytja në zona të ndryshme të vendit, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të notit pa mbikëqyrje.

Ekspertët theksojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike. Sipas të dhënave të Météo-France, shumica e valëve ekstreme të të nxehtit në Francë janë regjistruar pas vitit 2000.

Shkencëtarët paralajmërojnë se fenomeni i vitit 2003, i cili shkaktoi dhjetëra mijëra viktima në disa vende të Europës, mund të mos jetë më një rast i izoluar, por një model që po përsëritet gjithnjë e më shpesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›