E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperaturat e larta dhe sëmundjet kronike- Më të rrezikuarit të moshuarit, mjekët apelojnë për kujdes

Temperaturat e larta po ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve. Në qytetin e Tepelenës është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve me viroza dhe përkeqësim të sëmundjeve kronike. 

Mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes i shtuar gjatë kësaj periudhe.

“Të sëmurët kardiakë, por edhe ata me sëmundje pulmonare, paraqesin një numër disi më të lartë rastesh gjatë periudhave me temperatura të larta. Rekomandohet që, veçanërisht të moshuarit, të shmangin ekspozimin dhe qëndrimin e zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, kryesisht nga ora 09:00 deri rreth orës 16:00–17:00”, këshillon Shahin Meçe, mjek Pneumolog.

Sipas të dhënave me të prekura kane qenë grupmoshat e treta.

“Veçanërisht për personat e moshës së tretë, të cilët janë nën trajtim me medikamente, temperaturat e larta mund të sjellin pasoja, duke shkaktuar luhatje të konsiderueshme të tensionit arterial, si rritje ashtu edhe ulje të tij. Gjithashtu, vetë temperaturat e larta mund të shkaktojnë episode të distonisë vazomotore (çrregullime të qarkullimit të gjakut), sidomos te personat që janë në trajtim medikamentoz“, thotë mjeku.

Mjekët këshillojnë që gjatë ditëve me temperatura ekstreme, qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar në konsumimin e ushqimeve, të ruajnë higjienën personale dhe të shmangin daljet në oraret e pikut.

Gazetare: E. Domeri   

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›