E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Temperaturat e larta, digjet një sipërfaqe prej 16 hektarësh e mbjellë me grurë në Topojë të Fierit

Një sipërfaqe prej 16 ha  e mbjellë me grurë, është përfshirë nga flakët mesditën e së dielës në fshatin Topojë në Fier.

Sipërfaqja në pronësi të Mili Sakos, një prej kultivuesve më të mëdhenj të grurit në zonë është shkrumbuar vetëm për pak minuta, pasi flakët të favorizuara edhe nga era, janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar edhe një stan pranë.

Në vendngjarje mbërriti menjëherë zjarrfikësja, e cila ka bërë të mundur shuarjen e flakëve. Për fermerin Sako demi ekonomik është i konsiderueshëm ,teksa nuk beson se mund të jetë një zjarrvënie e qëllimshme.

Fermeri Sako këtë sezon ka kultivuar 45 ha sipërfaqe të mbjellë me drithë, ndërkohë që gruri më cilësor tashmë është shkrumbuar.

Sako apelon për të gjithë fermerët kujdes të shtuar gjatë djegies së hamullave, pasi një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë dëme të mëdha.

Gazetare Teuta Shamku

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›