E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kushi: Universiteti i Korçës s’do të bashkohet me atë të Tiranës! Do rritet përmes ndërkombëtarizmit dhe profilizimit

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka hedhur poshtë kërkesën e Universitetit të Korçës për tu bashkuar me atë të Tiranës.

Kushi vlerësoi se universiteti “Fan Noli“ ka potencial, kapacitet, staf dhe studentë për të vijuar punës ndërsa theksoi se universiteti ka sfida që aktualisht ka çdo universitet në Shqipëri.

Kushi tha se dolëm në përfundim “që e ardhmja e Universitetit “Fan Noli” është ndërkombëtarizimi dhe profilizimi, për t’iu përgjigjur zhvillimeve, dinamikave dhe nevojave specifike që ka rajoni i Korçës”.

Ajo siguroi mbështetjen e nevojshme që ky universitet të zhvillohet më tej, për t’u ngjitur në një nivel të ri, si një katalizator për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor për qytetin e Korçës dhe të gjithë rajonin.

 “Universiteti i Korçës do të vazhdojë por do të rritet më tepër. Potencialet janë aty, ka studentë dhe staf i mrekullueshëm, si edhe kapacitete. Korça ka traditë në arsim, pra do të ketë zhvillim më tej. Ka patur propozime të ndryshme, jo vendime, e rëndësishme është që ti diskutojmë ashtu si bëmë sot.

Sfidave që ka universiteti i Korçës, të gjithë ramë dakord që  dy janë drejtimet se si mund të zhvillohet ky universitet, ndërkombëtarizmi, një bashkëpunim edhe më i frytshëm, më i ngushtë me universiteti evropiane prestigjioze dhe botërore.. Ka një progres, se ka disa programe të lidhur me universitetin e bullgarisë, por këto nisma duhet të shtohen edhe më shumë që universiteti i Korçës të hapet më shumë sa i takon shkëmbimit të studenteve, pedagogëve, programe të përbashkëta, etj. Drejtimi i dytë është profilizimi i universiteteve. Ne kemi një vit që po punojmë për të përcaktuar një strategji të mirë të profilizimit. Që do të thotë që universitetet veçanërisht ato rajonale të fokusohen në disa fusha e programe që janë traditë brenda universitetit, por edhe i përgjigjen kërkesave të tregjeve lokale apo rajonale”, tha Kushi.

Ministrja Kushi zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me pedagogët e universitetit të Korçës dhe drejtuesit, ku kanë diskutuar për këtë propozim dhe sfidat e problematikat me të cilat ky universitet po haset. I pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, si edhe rektori Dhimitër Bello.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›