Flamuri, plan të ri me Elvanën dhe Santon kundër “TemA”-s
Flamuri i raportoi dje atij burrit planin e ri kundër gazetës. Kishte biseduar gjerë e gjatë me Elvanën, mbesën e gruas së atij burrit dhe kishin arritur në përfundim që gazeta duhet të paditej në gjyq. Meqë ai burri kishte dhënë udhëzim që qeveria të mos hedhë gazetat në gjyq, u vendos që këtë punë ta bënte Artan Santo.
- Porosinë e mbarova doktor, - i tha Flamuri. - E bëra bashkë me Elvanën padinë, por gjykata nuk po gjen dot redaksinë e gazetës që t’ia dorëzojë.
- Shumë mirë. Sa pará i keni kërkuar?
- 300 mijë euro si fillim, kaq më tha Elvana.
- Shumë mirë, Flamur. E gjetët redaksinë?
- Nuk e gjejmë dot, se nuk ka redaksi. Ato veglat janë akoma të kyçura te Tipografia ku ka qenë, por redaksi nuk ka. Thonë që punojnë online.
- Nisua me e-mail Flamur. Ta kenë. Keni bërë shumë mirë.
- E bëra bashkë me Elvanën. “Më ka dëmtuar bankën”, - tha, dhe ka shumë të drejtë. Mezi e ka ndërtuar atë bankë. Ka futur paratë gjithë familja dhe ai do të na njollosë bankën. Dhe pse? Se do të dijë a i ka pasur në llogari bankare Rezart Taçi 77 milionë euro apo jo? Po ç’punë ka ai me paratë e Taçit? Dhe s’i ka pasur Taçi, i ka pasur Elvana, lekët e familjes janë. Tani s’ka ku shkon. U ulëm dhe ia qëndisëm padinë.
- Flamur, morët ndonjë jurist apo e bëtë vetë?
- Morëm doktor, por në fund ai Santo tha: “Më lini të fus pak duart, se kam dhe dell shkrimtari”. Shtoi dhe ai ca fjalë. Kishte “dell” vërtet, se i qëndisi ca fjalë, “shpifës” e çfarë s’i tha.
- Flamur, shiko, duhet me ba kujdes. Emri i Elvanës nuk duhet me dalë. Duhet me e rujtë atë, se e kam merak. S’e vura deputete vetëm për këtë punë, me e rujtë. Ajo ka ba një punë të madhe. Po të mos kishte marrë 300 milionë eurot e shërbimeve të shëndetësisë e t’i detyronte t’i xhironin te banka, do ishim në hall. Nuk ishte e lehtë të paguheshin gjithë ato pará për ARMO-n. Flamur, duhet me e rujt. I thuaj atij Santos, si e ka emrin, të merret me atë djall.
- Mos ki merak se me Santon u mora. Paska qenë demokrat ky Santo, nuk e dija. Më tha që në zgjedhjet e 26 majit në Kombinat paska bërë namin. Paska mbushur 3 kuti për PD. Qenka i madh fare! Sa mirë që qenka fshehur në kohë të socialistëve. S’e kemi kuptuar fare që ishte me ne. Madje, mbaj mend disa herë që dilte të shante ty dhe unë mendoja që ishte ndonjë ushtar i Nanos. Tani më tha që e kishte lojë të gjithën. Pastaj më shpjegoi se banka ishte e Familjes, dhe u binda që ishte njeri i besuar.
- Flamur, duhet të jetë njeri i mirë. Nuk e njoh, po kam idenë që është njeri i mirë. Shiko, na ka bërë një nder të madh. Ka pagu faturën e ARMO-s, ia kemi borxh. Ka ndihmu Shqipërinë, na ka nderu të gjithëve.
- Shumë i mirë ishte doktor. Më tha: “S’ia harroj kurrë atij burrit me këto ndere që na ka bërë”. Gjithë ministritë kanë çuar lekët aty. “Qeveri serioze”, - tha. Dhe përveç nja dy tre ministrave, të tjerët s’kanë pranuar të marrin as 5 përqindëshin që ai ua dhënka gjithë atyre që çojnë atje llogaritë e shtetit. “Kanë frikë nga Elvana, - tha, - se mos i thotë atij burrit, ndaj nuk pranojnë të marrin.”
- Flamur, duhet të jetë njeri i mirë, se na ka ba nder. Kaq, s’di ç’të them. Dhe me këtë padinë paska ba mirë. Po kujdes të mos dalë sikur është nga Familja. I thuaj atij Santos ta marrë përsipër. Është njeri i mirë ai Flamur, këtë punë ka bërë gjithmonë, merr gjëra përsipër. Kam shumë respekt për të.
- Si thua doktor, ta shtojmë? Ta bëjmë 500 mijë këtë shifrën apo boll është një herë?
- Flamur, boll asht. Se ai s’ka me i pagu dhe duhet me ia mbyll gazetën. Kaq. S’di ç’të them tjetër. Se ai nuk marrka vesh si njeri. Iu dogj makina nga shkëndija elektrike, vazhdon prapë, i bllokuam redaksinë e shtypshkronjën për siguri kombëtare, vazhdon prapë. Ta provojmë një herë me gjobë, Flamur. Shiko, drejtësia ka dhënë shenja që po bëhet e dëgjueshme. Duhet me e provu. Të përshëndes.