E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat, rritje 2-3 gradë të mërkurën

Vera e këtij viti ka treguar se shprehja "gusht e gunë" nuk është gjithmonë e saktë. Sipas meteorologëve, deri në fund të muajit gusht nuk do të kemi asnjë reshje shiu, madje temperaturat nuk do të vijnë duke u ulur, por duke u rritur. Instituti i parashikimeve, Meteoalb, ka deklaruar se ditën e mërkurë do të kemi një rritje të temperaturave me dy gradë Celsius. Ndërsa sot dhe ditën e martë do të kemi ulje në krahasim me fundjavën.

Fundi i javës që lamë pas ka qenë i favorshëm me temperatura për plazhin e veriut, si Velipoja, ndërsa për plazhin e jugut ka qenë më pak. Temperaturat në jug të vendit kanë pësuar ulje me disa gradë Celsius, pavarësisht se nuk janë regjistruar reshje të shiut. Java e re do të nisë kryesisht e kthjellët dhe me rënie të temperaturave. Shirat e dobët do të jenë prezentë në zonat malore. Era do të vijojë të fryjë e lehtë dhe mesatare me drejtim kryesisht veriperëndimor, duke arritur shpejtësinë deri në 28 km/h, për pasojë deti do të gjenerojë dallgëzim të ulët.

Temperaturat mesatare të regjistruara në fundjavë kanë qenë 33-34 gradë Celsius. Mostrat e analizave për matjen e temperaturave mesatare janë marrë në mesditë dhe në hije. Por, veç temperaturave mesatare të regjistruara duhet marrë në konsideratë që vapa dhe nxehtësia janë edhe më të forta në diell, në autobus, jashtë makinës apo në ambiente me shumë njerëz, të cilët thithin shumë oksigjen dhe lëshojnë edhe më shumë dioksid karboni.

Sakaq, plazhi, pishinat apo banjat e shpeshta do të vazhdojnë të paktën deri në fund të muajit gusht. Resortet dhe vendet e pushimit, në mënyrë të veçantë në jug të vendit, kanë qëndruar plot edhe gjatë kësaj fundjave, edhe si pasojë e temperaturave favorizuese të muajit gusht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›