E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjencat plot me pacientë, në shërbim vetëm një mjek

Urgjencat e spitalit rajonal të Fierit nuk e përballojnë dot fluksin e lartë të pacientëve. Për t‘u shërbyer pacientëve të rritur është në dispozicion vetëm një mjek, po ashtu edhe për shërbimin e pediatrisë ku vizitohen fëmijët. Gjatë javës së fundit, numri i vizitave në urgjencën e spitalit rajonal të Fierit është rritur ndjeshëm dhe ka shkuar në afro 200 brenda 24 orëve. Ndërkohë që në urgjencën e pediatrisë së Fierit numri i vizitave në një ditë shkon në 180. Bluzat e bardha të dy urgjencave të grupit spitalor të Fierit pohojnë për gazetën se shkak i mospërballimit të fluksit është kaosi i krijuar në spital. Pacientët që u drejtohen urgjencave duhet që të presin deri për disa orë të tëra, me qëllim marrjen e ndihmës së parë. Situata bëhet edhe më e vështirë gjatë orëve të mbrëmjes dhe orëve të natës. Tre netët e fundit: gjatë së enjtes, të premtes dhe së shtunës, është shënuar edhe kulmi i vizitave të këtij sezoni. Pacientët e gjendur mbrëmjen e së shtunës në urgjencën e spitalit rajonal të Fierit janë ankuar se po presin rreth 1 orë për t‘u vizituar te mjeku. Nga ana tjetër, mjeku i urgjencës së pediatrisë, gjatë mbrëmjes së shtunë, pyetur nga gazeta lidhur me përballimin e këtij fluksi të lartë pacientësh është shprehur se është situata më e vështirë e të gjitha viteve të fundit. "Është e papërballueshme, por nuk kam se çfarë të bëj. Kemi kërkuar shtim të shërbimit mjekësor në urgjencë, por ende nuk ka ardhur. Jemi të detyruar ta përballojmë situatën ashtu si është, duke u ardhur në ndihmë fillimisht atyre pacientëve që paraqesin më shumë rrezik për jetën", është shprehur mjeku, ndërsa një vogëlush bëhej gati për vizitën mjekësore. Në regjistrat e pacientëve të paraqitur në urgjencat e shërbimeve të spitalit të Fierit shënohen pacientë që vijnë kryesisht nga zonat rurale. Një numër i madh prej tyre janë edhe pushues.

Prej kontingjentit të pushuesve më shumë janë fëmijë të moshave nga 0 deri në 12 vjeç. Mjekët pediatër, si edhe ata të urgjencave deklarojnë se simptomat e pacientëve të vegjël dhe atyre të mëdhenj janë të ngjashme. Temperaturë të lartë, shqetësime gastrointestinale, dobësi shenjat e përgjithshme të virozës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›