E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopia, së shpejti me një universitet të ri

Ende pa nisur viti i ri akademik, premtime dhe deklarata vijnë për më shumë investime në sektorin e arsimit në përgjithësi dhe arsimit të lartë në veçanti. Një universitet i ri do t‘u shtohet listës së universiteteve në vendin tonë. Këtë herë projekti për ngritjen e një universiteti të ri është për në veri të vendit. Me fillimin e vitit të ri akademik, në Peshkopi do të hapet një universitet i ri. Deklaratën e ka dhënë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë vizitës së tij për inaugurimin e disa segmenteve rrugore në këtë zonë. Gjatë vizitës në Peshkopi, Kryeministri në këtë fillim viti të ri akademik njoftoi edhe hapjen e universitetit në qytetin e Peshkopisë.

"Në këtë vit do të fillojë në Peshkopi, Universiteti i Peshkopisë. Ju meritoni të gjitha premtimet dhe realizimet, ndaj ju jap fjalën se për çdo premtim që kam dhënë para jush do ta bëj realitet", tha Kryeministri Berisha.

Pas inaugurimit për fillimin e punimeve për Rrugën e Arbrit, Kryeministri Berisha ka udhëtuar në fundjavë drejt qytetit të Peshkopisë. Kreu i qeverisë mori pjesë në nisjen e punës për sistemin e asfaltimit të rrugës Ura e Çereçenit-Peshkopi.

Kjo rrugë, sipas Kryeministrit Berisha, jo vetëm lidh Peshkopinë me Kukësin, por hap një perspektivë të madh zhvillimi për Qarkun e Peshkopisë dhe tregun e saj. Në vijim të premtimeve për një infrastrukturë më të zhvilluar, Kryeministri Berisha tha se së shpejti do të nisë ndërtimi i rrugës që bashkon Peshkopinë me Librazhdin, duke shkurtuar më shumë rrugëtimin nga një skaj i Shqipërisë në skajin tjetër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›