E Diel, 1 Nëntor 2026

Tendenca më e re, urime me banderola publike në mes të rrugës

DURRES- Fillimi i sezonit turistik ka rikthyer në Durrës traditën e urimeve publike për ditëlindjet personale, një risi e viteve të fundit në rrugët kryesore të qytetit bregdetar. Për gati dy muaj, tollumbacet shumëngjyrëshe që vazhdojnë të jenë elementi kryesor me të cilat krijohen edhe banderolat e urimeve, "u zhdukën" nga qarkullimi nën trysninë e posterave të forcave politike për zgjedhjet e 23 qershorit.

Përfundimi i votimeve dhe fillimi i verës e kanë kthyer me intensitet tendencën e këndshme të të rinjve për urime publike në qytet.

Më të shumtën e rasteve banderolat me gjatësi 7-8 metra dhe të shkruara me tollumbace shumëngjyrëshe vendosen në fillim të bulevardit "Epidamn", aty ku sheshi qendror i qytetit bregdetar mbyllet në anën juglindore të tij dhe ku kalojnë çdo ditë mijra njerëz. Saranda, një vajzë nga Peja, që ka ardhur me pushime me prindët, thotë se do t'i pëlqente shumë që dikush ta përshëndeste publikisht për ditëlindjen në qytetin e saj. "Më duket shumë emocionuese ta shohësh kushtimin që të shkruan me tollumbace i dashuri yt", vijon Saranda, e cila ka vendosur të fotografojë të gjitha urimet publike të këtyre ditëve në Durrës.

Urimet publike kërkohen kryesisht për ditëlindje dhe në shumicën e rasteve i porosisin djemtë e dashuruar të moshave 17-25 vjeç. Vajzat, shpesh herë kërkojnë më shumë vemëndje nga të dashurit e tyre, pikërisht përmes të tilla "deklarimeve publike".

Po çfarë shkruajnë të rinjtë në urimet e tyre publike, që u ngjasojnë reklamave të kompanive të mëdha? Në banderolën që përgatitet me një mori tollumbacesh me ngjyra, fraza më e shkurtër dhe më e zakontë është "Edhe 100"; shpesh është e pranishme një zemër e kompozuar me ngjyra të ndezura e në fund edhe iniciali i djalit të dashuruar që ka porositur urimin. Ndonjëherë nuk mungon emri i vajzës, (qoftë edhe i shkurtuar), së cilës i kushtohet urimi, por banderola të tilla kushtojnë më shumë, nënvizon Ilioni, një nga djemtë që punon në biznesin e tollumbaceve.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›