E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i skrapit, merret në pyetje ish-zyrtari i APP

Ish-avokati i Prokurimeve Publike dëshmon mbi procedurat e tenderit të skrapit, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. “Përzgjedhja jonë, e bazuar në ligj”

Tiranë Hetimi për tenderin e skrapit në uzinën e Azotikut në Fier ka çuar në prokurori anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi procedurën e ndjekur për përzgjedhjen e kompanisë fituese. Edi Spaho, në cilësinë e kryetarit të Komisionit që ka vlerësuar ofertat e kompanive pjesëmarrëse në tender, dhe të paktën tre anëtarë të tjerë janë thirrur në prokurori për të sqaruar mënyrën se si është përzgjedhur kompania fituese e tenderit të skrapit në Uzinën e Azotikut në Fier. Çështja e shumëpërfolur mediatikisht është pasuar nga një kallëzim penal në prokurori, ku një prej kompanive të skualifikuara pretendon për parregullsi në procedurën e ndjekur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Por kreu i këtij komisioni, ish-avokati i Prokurimeve, Edi Spaho dhe anëtarët e tjerë kanë hedhur poshtë pretendimet e kompanisë kallëzuese, duke thënë se në përzgjedhjen e fituesit janë ndjekur të gjithë procedurat ligjore. Lidhur me skualifikimin nga gara të kompanisë “Cara”, e cila ka depozituar edhe kallëzimin penal, anëtarët e komisionit kanë deklaruar se kompania është skualifikuar për mosplotësimin e kritereve teknike. Duke qenë se bëhet fjalë për një ndërmarrje me pajisje komplekse, të cilat nuk përmbajnë vetëm hekur, por edhe materiale të tjera që mund të jenë të rrezikshme, nëse përdoren për skrap, autoriteti kontraktues ka vendosur disa kritere për kompanitë pjesëmarrëse në ankand. Kompania që do të paraqiste ofertën më të mirë duhet të merrte përsipër veçimin e skrapit nga pjesët e tjera të makinerive, duke bërë ndarjen e tyre dhe më pas transportin drejt Metalurgjikut në Elbasan. Kostoja e këtij procesi, sipas pretendimeve të deritanishme mund të ketë ndikuar në çmimin fillestar me të cilin është paraqitur kompania fituese, i cili mund të jetë ulur pikërisht për këtë arsye, që gjithçka do të kryhej nga ajo kompani që fitonte tenderin. Kreu dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave janë pyetur për çmimin që është caktuar për skrapin që do të përfitohej nga kompania fituese, por edhe kjo pjesë është shpjeguar prej tyre, duke thënë se çmimi është vendosur në bazë të çmimit të tregut. Një nga çështjet e shumëdebatueshme është edhe sasia e skrapit që gjendet në Uzinën e Azotikut të Fierit, pasi është pretenduar se në ankand ka dalë një sasi shumë e vogël nga sa ndodhej realisht në ambientet e uzinës. Por ky episod i hetimit është justifikuar me faktin se jo gjithçka ndodhej në fabrikë mund të përdorej për skrap. Nga një vlerësim paraprak që i është bërë pajisjeve që ndodheshin në ambientet e uzinës, ekspertët kanë përcaktuar se aty ndodhej e njëjta sasi skrapi e cila më pas është nxjerrë në ankand nga ana e Ministrisë së Ekonomisë. Sipas burimeve mësohet se është kërkuar zyrtarisht pranë kësaj ministri metodologjia e ndjekur për përcaktimin e sasisë së mbetjeve të hekurta që më pas u nxorën në ankand. Po ashtu është kërkuar zyrtarisht edhe kriteret që janë mbajtur parasysh në përcaktimin e çmimit, të cilin ka paguar kompania fituese për sasinë e skrapit që do përfitonte. Këto të dhëna pritet t’i vihen në dispozicion prokurorisë, në mënyrë zyrtare nga ana e Ministrisë së Ekonomisë në ditët në vijim. L.Bakillari

24.6 Milionë lekë ishte vlera e ankandit për tenderin e skrapit në Uzinën e Azotikut në Fier. Prokuroria po heton lidhur me procedurat që përzgjodhën kompaninë fituese.

57 Milionë lekë më shumë kanë ofruar përfaqësuesit e kompanisë “Cara” sh.p.k, për tenderin e skrapit. Pas skualifikimit, ata kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurori

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›