E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasjet në seri të taksistit e rojës, pistoleta “tradhton” autorin 19-vjeçar

SHKRUAN: Habjon Hasani 20-10-2011 14:31

Policia e Tiranës zbardh vrasjet e Urim Begës dhe Petraq Mihalit, falë pakujdesisë së autorit për të zhdukur armën e krimit. Jurgen Kule u arrestua 3 muaj më parë me pistoletën dhe u la i lirë, por ekspertiza zbuloi autorësinë në ekzekutime. “Bashkëpunëtori im u vetëhelmua me fostoksinë”

Një rastësi “fatlume” i ka dhënë policisë autorin e vrasjeve në seri të taksistit Urim Begu dhe rojës së karburantit, Petraq Mihali, të ndodhura një vit më parë përgjatë aksit rrugor Tiranë-Lushnjë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj tha dje për mediat se për dy vrasjet u arrestua Jurgen Kule, një 19-vjeçar nga Libofsha e Fierit, i cili pranoi autorësinë para hetuesve. Edhe pse i shpëtoi për 1 vit përgjegjësisë për vrasjet, gjurma që çoi në pranga Jurgen Kulen ishte pistoleta e krimit. Në rrethana krejt të pashpjegueshme, i arrestuari jo vetëm që nuk e kishte zhdukur armën e krimit të dyfishtë, por e mbante atë me vete. “Tre muaj më parë, 19-vjeçari Jurgen Kule ishte kapur me një pistoletë nga policia e Fierit dhe u procedua për armëmbajtje pa leje. Qëndroi veçse dy ditë në arrest, pasi gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë së detyrimit për paraqitje, ndërsa pistoleta e sekuestruar u dërgua në Laboratorin e Kriminalistikës për ekspertizë”, - i tha “MAPO”-s një burim nga policia e Tiranës. Procedura rutinë e ekspertizës së pistoletës ka befasuar hetuesit, të cilët kërkonin prej 13 tetorit të vitit 2010 autorët e vrasjeve të Urim Begut dhe Petraq Mihalit.

Pistoleta e 19 -vjeçarit nga Fieri rezultoi të ishte arma që u mori jetën taksistit Begu dhe rojës së karburantit, Mihali. Ky rezultat i analizës balistike të armës ka vënë në lëvizje krerët më të lartë të policisë dhe hetuesit kanë hartuar një plan operacional për mbajtjen në vëzhgim dhe më pas arrestimin e 19-vjeçarit Kule. Mesnatën e së martës, forcat speciale kanë mësyrë në shtëpinë e Jurgen Kules në fshatin Libofshë dhe i kanë hedhur prangat të riut, i cili tashmë mban mbi supe akuzat e “vrasjes me dashje të dy personave” si dhe të “rrëmbimit dhe grabitjes”. Policia e Fierit e kishte diktuar prej kohësh Kulen si një person me precedentë të ndryshëm dhe tip problematik, por gjetja e armës së krimit makabër të 13 tetorit 2010 i tejkaloi të gjitha parashikimet e hetuesve. 19-vjeçari është marrë në pyetje dhe mësohet se si bashkëpunëtor të tij, natën e 13 tetorit ka përmendur një 16- vjeçar, i cili është helmuar me fostoksinë rreth tre muaj më parë, ndërsa hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e implikimit të personave të tjerë në ngjarjen e rëndë të vrasjes dhe rrëmbimit të taksistit si dhe të vrasjes së rojes së karburantit në Lushnje. Dy vrasjet mbajnë datën 13 tetor 2010 dhe janë kryer brenda një nate. Kule dyshohet se i ka kryer vrasjet në bashkëpunim me një 16- vjeçar me inicialet E.L, për të cilin policia tha se ishte vetëhelmuar me fostoksinë rreth tre muaj më parë. Mbrëmjen e 13 tetorit 2010, 19- vjeçari Jurgen Kule, së bashku me shokun e tij të vetëhelmuar kanë hipur në taksinë e Urim Begut dhe pranë Shkëmbit të Kavajës e kanë ekzekutuar taksistin, për të vazhduar rrugën në drejtim të Fierit. Në Lushnjë, ata janë ndalur në një pikë karburanti të sapondërtuar dhe pasi roja i kësaj pike karburanti ka vënë re gjakun në automjet, dy të rinjtë kanë ekzekutuar dhe rojën e më pas kanë vazhduar udhëtimin në drejtim të Fierit. Për disa muaj rresht policia është vënë në kërkim të autorëve të kësaj ngjarjeje makabër, por “rastësia” e bllokimit të pistoletës ka nxjerrë në dritë të vërtetën.

13/10/2010

Policia gjeti trupin e pajetë të taksistit Urim Begu në një fshat të Kavajës, e pak kohë më vonë edhe atë të rojës së karburantit, Petraq Mihali. Hetimet zbuluan se dy vrasjet ishin kryer nga e njëjta armë

3 muaj Më parë, Jurgen Kule ishte arrestuar në Fier me një pistoletë pa leje. I riu ishte lënë i lirë nga gjykata, ndërsa ekspertiza e armës ka befasuar hetuesit, të cilët gjetën përmes saj autorin e dy vrasjeve.

Ekzekutimet në seri të taksistit e rojës

Më 13 tetor 2010, brenda pak orësh janë regjistruar dy viktima në Kavajë dhe në Lushnjë. Fillimisht është gjetur trupi i taksistit Urim Begu nga Tirana, 48 vjeç dhe më pas ai i rojës së një karburanti në Lushnjë, të quajtur Petraq Mihali, 53 vjeç. Nga hetimet e para rezultoi se autorët e ngjarjes kanë qenë dy persona, të cilët e kanë marrë taksinë në Tiranë, pranë shkollës “11 Janari”, rreth orës 22:30 të mbrëmjes së 12 tetorit, duke i kërkuar Begut që t’i çonte deri në Kavajë. Sipas skemës së krimit të rindërtuar nga policia, ata janë sjellë normalisht deri në një fshat të Kavajës, ku edhe kanë vënë në jetë planin e tyre të grabitjes. Viktima Urim Begu punonte prej kohësh si taksist në Tiranë dhe drejtonte një automjet tip “Benz” me targa TR 217 C. Ka qenë vetë djali i 48-vjeçarit, ai që ka denoncuar i pari në polici mungesën e babait dhe vetëm pak më pas është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të Urim Begut. Po në orët e para të mëngjesit të 13 tetorit 2010 është gjendur i vrarë me armë zjarri në vendin e quajtur “rrethrrotullimi Plug”, në aksin rrugor kombëtar Lushnjë- Rrogozhinë edhe Mihali. Policia arriti të zbulojë se autorët e dy vrasjeve ishin të njëjtët, por pa mundur t’i gjejë ata për 1 vit të tërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›