Tenis, Paris Masters, Janowicz vazhdon marshimin
Jerzy Janowicz vazhdon marshimin e tij të jashtëzakonshëm në turneun master të Paris Bercy. Polaku arriti në gjysmëfinalet e kompeticionit, pasi arriti të eliminojë në çerekfinale edhe serbin Janko Tipsareviç, i cili u tërhoq në setin e tretë si pasojë e problemeve fizike. Janowicz, që eliminoi një ditë më parë dhe Andy Murray, nuk e nisi mirë ndeshjen, ashtu siç kishte bërë dhe me Murray, teksa humbi setin e parë 3-6. Gjithsesi problemet fizike të Tipsareviç u bënë evidente në setin e dytë, me polakun që fitoi shpejt e shpejt 6-1, ndërsa në setin e tretë, me rezultatin 4-1 me game për Janowicz, serbi deklaroi tërheqjen me polakun që u kualifikua për në gjysmëfinalen e një masteri për herë të parë në karrierën e tij, ku do të ketë një provë të vështirë ndaj tenistit vendas, Gilles Simon, që mundi në dy sete çekun Tomas Berdych. Francezi hasi më pak probleme sesa pritej dhe regjistroi rezultat të njëjtë në të dyja setet 6-4, 6-4. David Ferrer ishte emri i tretë që kaloi mes katër më të mirëve, pasi arriti të mundë po 2-0 Jo Wilfred Tsonga, që vuajti shumë gabimet e setit të parë, ku humbi 6-2. Në setin e dytë, Tsonga u përpoq të bënte rezistencë, por spanjolli mori një game me break dhe triumfoi 7-5.
Tenis, Paris Masters, Janowicz vazhdon marshimin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip