E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenistja kineze Li Na fiton mimin e Madh te Parisit

Vendi më i populluar i botës nuk kishte mundur të arrinte kurrë kaq lart. Pavarësisht se fitoi më shumë medalje të arta se Shtetet e Bashkuara në Lojrat Olimpioke të Pekinit më 2008, sërish në tenis, pra në këtë sport tepër të shquar, nuk kishte arritur dot deri në shkallën më të lartë të podiumit. Tashmë, 1.3 miliardë kinezët mund të jenë më të qetë pasi patriotja e tyre, Li Na, fitoi turneun madhështor të “Rolan Garrosit” në Paris, duke mundur 2-0 në finale italianen Françeska Skiavone, tenisten që ishte fituese në fuqi.

Ndeshja finale ishte e fortë, por Li Na e tregoi veten më lart se kundërshtarja duke i dhënë vendit të saj fitoren e parë në një turne të madh të Grand Slemit. Suksesi i saj bëri të lumtur qindra e mijëra kinezë që e ndoqën ndeshjen nëpër lokale, duke brohoritur e thirrur për heroinën e tyre të re, por gjithashtu ajo lumturoi dhjetëra milionë që besohet se e panë takimin në Paris megjithë ndryshimin orar mes kryeqytetit të Francës dhe shtetit të madh të Lindjes së Largme.

Në përfundim, në një konferencë për shtyp, Li Na, foli thjesht, si një sportiste e madhe.

Për mua kjo është një ëndërr që realizohet. Unë doja që ta fitoja më parë një çmim në Grand Slem, por ia dola tani. Shumë njerëz thonë se unë po plakem, pra jam një grua e vjetër që realizova një ëndërr. Kjo nuk është një gjë e lehtë. Është një ëndërr që realizohet sepse Kina kurrë nuk kishte fituar një turne të Grand Slemit në tenis dhe shumë tenistë e teniste në vendin tim po punojnë shumë fort që t’ia arrijnë kësaj gjëje. Shpresoj që teniste të reja nga Kina të arrijnë fitore të tilla në të ardhmen”.

Li Na është tashmë një personazh i madh. Jeta është e tillë që të jep shpresë, ndërsa vite më parë ajo e la tenisin për t’iu përkushtuar për 2 vjet gazetarisë. Së fundi, erdhi kthesa e madhe dhe ajo është më në fund kampione.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›