E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenori Agim Hushi: Mora urime edhe nga Elisabeta II, por jo nga Presidenti i vendit tim

hushi

Tenori i njohur shqiptar Agim Hushi, ka postuar në profilin e tij në Facebook një shënim lidhur me një ngjarje që i ka ndodhur me presidentin shqiptar Bujar Nishani. Hushi, sapo ka nxjerrë në treg albumin Amore Grande që ka rezultuar një sukses.

Dua të ndaj me ju të dashur miq, një fakt për të cilin jo vetëm si artist, por edhe si shqiptar i thjeshtë ndihem keq. E përçmoj gjestin primitiv të z.Nishani. I them këtij njeriu se arti qendron mbi çdo parti. Presidentë të tillë, me kaq mentalitet primitiv, harrohen me kohën, ose akoma edhe më keq, kujtohen me turp! shkruante pak ditë më parë në profilin e tij artisti i famshëm shqiptaro-australian.

Interesimit të Ditës se çfarë ka ndodhur konkretisht, z.Hushi i përgjigjet:

Me rastin e daljes në treg të Amore Grande mora shumë letra urimi dhe vlerësimesh nga shumë personalitete të botës, përfshirë presidentin e Italisë, Giorgio Napolitano, kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin e EU, Jose Barroso, presidentin austriak, Helmut Fisher, mbretëreshën e Anglisë, Elisabeta II etj. Jo nga zyra e menaxherit tim, apo nëpërmjet kanaleve diplomatike, siç ishte vepruar me të tjerët,  unë vendosa tia dërgoja vetë Presidentit tonë, CD-në time Amore Grande, bile me nënshkrimin tim dhe me një letër të shkurtër informuese. Por, u ndjeva ngushtë. Z.Nishani, që sot mban detyrën e kreut të shtetit tonë, jo vetëm që as një faleminderit nuk më tha për dhuratën që ia nisa nga Vjena, por asnjë nga ata që marrin rrogën e taksapaguesve shqiptarë rreth tij dhe që janë për këtë punë, nuk pati kurajon apo fisnikërinë të më njoftojnë që të paktën e morën CD time, që ua kam nisur me postë speciale që në muajin prill 2013

Nishani duket se inatin me tenorin e njohur duket ta ketë për faktin se ai ishte pjesë e një spoti elektoral të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore, në të cilin u bënte thirrje shqiptarëve që të votonin për Rilindjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›