E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension Moskë-Beograd, Hrushov letër kërcënuese Titos

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Beograd, 12 maj 1958 – Kryeministri dhe Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita S. Hrushov, ka paralajmëruar me nervozizëm komunistët jugosllavë që të futen në radhë së bashku me pjesën tjetër të botës komuniste nën urdhrat e Moskës, - thanë burime të afërta nga ambasada sovjetike në Beograd një natë më parë. Konfirmimi zyrtar mungonte, - sipas Associated Press, por paralajmërimi ndaj komunizmit të pavarur jugosllav u tha se erdhi nga një letër e sjellë në Beograd nga ambasadori sovjetik, Ivan Zamçevski, pasi u kthye nga Moska ditën e shtunë. Ambasadori solli gjithashtu dhe lajmin se Bashkimi Sovjetik kishte shtyrë për një datë të papërcaktuar vizitën e presidentit të Bashkimit Sovjetik, Kliment Voroshillov në Jugosllavi. Disa në Beograd thanë se Zamçevski ia kishte dorëzuar tashmë letrën e Hrushovit zëvendëspresidentit Aleksandër Rankoviç. Kryeministri sovjetik dhe Sekretari i Parë i Partisë Komuniste, u tha se i kishte shkruar Presidentit Tito dhe ndihmësve të tij se solidariteti i botës komuniste ishte në rrezik për sa kohë Jugosllavia nuk do të rreshtohej haptazi me bllokun e shteteve të dominuara nga Kremlini.

Shumë të tjerë i bashkohen sulmit

Zamçevski shkoi në Moskë pas kongresit jugosllav të partisë në Ljubljanë muajin e kaluar për t’i thënë Nikita S. Hrushovit se si Titoja dhe lejtnanti i tij, nënvizuan edhe një herë tjetër pavarësinë e tyre nga blloku. Kina e Kuqe dhe Çekosllovakia kanë denoncuar me zë të lartë qëndrimin e Titos. Në fund të javës së shkuar, “Pravda”, gazeta e organit zyrtar komunist sovjetik iu bashkua sulmit. Artikulli i “Pravdës” linte të kuptohej se ndihma sovjetike ekonomike për Jugosllavinë mund të ndërpritej nëse Titoja refuzonte që t’i bashkëngjitej linjës komuniste të Moskës. Ditën e dielë, një tjetër satelit, Shqipëria, iu bashkëngjit korit të kritikave. “Pravda” botoi një sulm të gazetës “Zëri i popullit”, që është zëri i Partisë së Punës të Shqipërisë, i cili akuzonte jugosllavët për revizionizëm dhe mbështetje të imperializmit. “Zëri i popullit” akuzoi gjithashtu Titon dhe udhëheqësit e tjerë të partisë se ishin fajtorë për të gjitha krimet anti-marksiste dhe anti-leniniste që i ngarkoheshin atij më përpara nga gazetat çeke dhe kineze. Por kur konflikti arriti të thellohej në Beograd dhe Moskë, ministri i Punëve të Jashtme kineze, Çen Ji, parashikoi sot se ndarja e Jugosllavisë në vitin 1948 me vendet e tjera komuniste nuk do të përsëritej më, - raportoi agjencia Reuters. Ministri i Jashtëm, Çen Ji, tha gjatë një interviste të botuar në gazetën e pavarur gjermane të Hamburgut, “Die Welt”, se ndryshimi mes Titos dhe bllokut të Bashkimit Sovjetik ishte krejtësisht ideologjik. “Jugosllavia posedon të drejtën që të mbajë qëndrimin e saj”, - tha ai. “Ne kemi të drejtën të kritikojmë”. Çen Ji u intervistua në Pekin për lutjen e Jugosllavisë për të ndjekur “rrugën e vetë të socializmit” dhe një sulm të ashpër bërë nga gazeta “Peking People’s Daily”, organi zyrtar i Partisë Komuniste Kineze. “Die Welt” e citoi Çenë të thoshte: “Ne nuk kemi qëllime të këqija në lidhje me Jugosllavinë, por nuk kemi në të njëjtën kohë as iluzione. Ne duhet të kemi më tepër për të thënë lidhur me këtë”. I pyetur se çfarë ai mendonte për politikën e Polonisë, Çen tha: “Polonia i përket kampit socialist. Është e natyrshme që të ketë pikëpamje të ndryshme për çështje konkrete”. Ai shtoi se amerikanët shpresonin që Polonia do të largohej nga kampi socialist, por kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse një iluzion. Ishte gjithashtu po një iluzion po të mendoje se Polonia do të shkonte në rrugën e Jugosllavisë”, - deklaroi numri 1 i diplomacisë kineze për gazetën gjermane. Udhëheqësi i Partisë Komuniste Polake, Vlladisllav Gomulka, dhe kryeministri hungarez, Ferenc Myenih, mbyllën tri ditët e tyre të bisedimeve në Budapest në përputhje të plotë me “çështjet kryesore”. Të dy udhëheqësit u thanë gazetarëve gjatë një pritjeje në ambasadën polake se bisedimet ishin zhvilluar në një atmosferë miqësore, - raportoi “Unitet Press”. Një pjesëtar i qeverisë hungareze tha se deklarata zyrtare që pritej të lëshohej ditën e sotme do të dënonte ashpërsisht si revizionizmin ashtu edhe dogmatizmin, por nuk do të përmendte në mënyrë specifike asnjë shtet. “Çdo parti komuniste ka të drejtën të vendosë vetë nëse dëshiron që të nisë një polemikë ne Jugosllavinë”, - tha ai. “Qeveria hungareze, - shtoi ai, nuk ka për qëllim që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Jugosllavisë”. Një nga arsyet e sulmeve të fundit të Hrushovit ndaj marshallit jugosllav ka qenë dhe informacioni shtesë në lidhje me takimet vendimtare mes dy udhëheqësve partiakë gjatë vjeshtës së vitit 1956 dhe verës së vitit 1957. Takimi i parë, që pati dhe një jehonë të jashtëzakonshme (pushimet e Hrushovit në Krimea) është përshkruar si një udhëtim propagandistik, ndërsa takimi i dytë që u zhvillua në Rumani, një takim që u mbajt sekret, u bë publik vetëm me anë një të një komunikate të shkurtër, që pothuajse nuk zbuloi asgjë nga përmbajtja e diskutimeve të dy liderëve. Sidoqoftë, të dyja takimet u pasuan nga vendime shumë të rëndësishme politike, të cilat treguan qartazi natyrën e diskutimeve, por nuk kishte asnjë dokument publik kundër, të cilat këto konkluzione eksperimentale të mund të provoheshin. Në fjalimin e tij në takimin e miqësisë çekosllovako-sovjetik, sekretari i Partisë sovjetike, Hrushov, pastroi mbetjet e fundit të hollësirave diplomatike dhe e përqeshi Titon se kishte ushqyer me kujdes pretendimet që gjoja bisedimet e Krimeas kishin qenë më shumë shakara pushimesh.
Ky lajm është publikuar: 10/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›