E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata: “Infermierët, rritje page dhe mbrojtje në punë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Rritja e pagave dhe ruajtja e vendit të punës ishin dy çështjet kryesore të cilat u ngritën dje nga Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë në Kongresin e saj të 5-të. Gjatë këtij kongresi, presidenti i rizgjedhur në postin drejtues të kësaj Sindikate, Sabri Skënderi, në të njëjtën kohë edhe president i Urdhërit të Infermierit të Shqipërisë vuri në dukje gjatë fjalës së tij faktin sesi kjo sindikatë po punon që të plotësojë deri në fund kërkesat e punonjësve të të gjithë niveleve të sektorit shëndetësor. “Këshilli Kombëtar i kësaj sindikate ka punuar për fuqizimin e saj në të gjithë sektorët e shëndetësisë. Shpesh kemi rënë në vesh të shurdhët me kërkesat që ne kemi paraqitur para autoriteteve drejtuese të shëndetësisë. Kushtet e punës për infermierët, mjekët apo fizioterapistët në spitalet tona lënë ende për të dëshiruar, megjithëse kërkesën për përmirësimin e tyre vazhdimisht e kemi ngritur në nivele të ndryshme drejtuese”, tha gjatë fjalës së tij Skënderi në këtë kongres. Më pas, ai pohoi se gjatë muajve që vijnë Sindikata e Shëndetësisë do të angazhohet për nënshkrimin e kontratave të nivelit të parë me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe marrëveshje të nivelit të dytë që të mbrohen punonjësit nga largimet e padrejta nga puna. “Të bëjmë të pamundurën për të mbrojtur interesat e punonjësve dhe për të rritur pagat e tyre. Sidomos, do të punojmë shumë për të siguruar moslargimet e infermierëve, mjekëve apo fizioterapistëve nga puna”, deklaroi ndër të tjera ai.

Ky lajm është publikuar: 10/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›