E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension në rritje në prag të rifillimit të bisedimeve izraelito-palestineze

JERUSALEM- Izraeli autorizoi lirimin e 26 të burgosurve palestinezë në kuadrin e marrëveshjes për rifillimin e bisedimeve të paqes, duke shkaktuar pakënaqësi tek pala palestineze për shkak të shpalljes së tenderit për ndërtime të reja në koloni.

"Dje në mbrëmje një komision ministror izraelit aprovoi lirimin e 26 të burgosurve prej një kohe të gjatë pas vendimit të qeverisë për rihapjen e bisedimeve të paqes me palestinezët", citon një komunikatë e zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Këta të burgosur janë të parët që lirohen nga një total prej 104 personash sipas premtimeve të Izraelit, në funksion të përparimit të bisedimeve.
Emrat e 26 të burgosurve që duhet të lirohen përpara rifillimit të bisedimeve të mërkurën, u shpallën sot në mëngjes.

Pjesa më e madhe e tyre u arrestuan për vrasjen e izraelitëve ose palestinezëve që supozohen të kenë patur lidhje me Izraelin.

Me përjashtim të një të burgosuri të arrestuar në vitin 2001, të gjithë të tjerët janë arrestuar përpara vitit 1994.

"Kjo është një ditë feste për organizatat terroriste", tha Meir Indor, drejtuesi i "Almagor", një shoqate të viktimave izraelite të konfiktit.

Almagor, i cili i është drejtuar Gjykatës së Lartë për problemin në fjalë, dëshiron të takohet me tre ministrat që formuluan listën e të burgosurve të do të liroheshin.
Më pas, shoqata e tij do të vendosë nëse do t'i drejtohet sërish ose jo organeve të drejtësisë për të kontestuar vendimin.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›