E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensione në veri të Mitrovicës, dhunohen dy shqiptarë

Një grup personash, ende të pa identifikuar, kanë sulmuar fizikisht dy të rinj, të përkatësisë etnike shqiptare, në veri të Mitrovicës.
Rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 18:00 min, në rrugën “Kolashini” në afërsi të garazheve të “kosmetprevoz”, në veri të Mitrovicës.
 

Viktimat e rastit, kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Kosovës, në veri të Mitrovicës, se të njëjtit ishin sulmuar nga një grup i së paku 8-9 personave, derisa ata ishin duke ecur rrugës, të shoqëruar nga dy vajza.
 

Pa ndonjë motiv të sqaruar, thuhet se të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht dy viktimat e tyre, një 25 dhe një 24 vjeçar, duke u shkaktuar lëndime trupore.
 

Të plagosurit, janë dërguar në qendrën emergjente spitalore në veri të Mitrovicës, me lëndime të shkaktuara kryesisht në pjesë të kokës.
 

Ndërkaq po në veri të Mitrovicës pak para mesnatës së mbrëmshme është regjistruar një shpërthim, por pa shkaktuar pasoja në njerëz.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur në lokalin “Tiha Noq” dhe ka shkaktuar dëme materiale në objekt. Në bazë të hetimeve paraprake, policia ka konstatuar se shpërthimi ka ndodhur nga aktivizimi i një granate dore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›