E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet takimi i liderëve arabë për Sirinë

Gazeta Shqip

Analiza 

Për disa liderë perëndimorë, Assad duhet të shkojë në Hagë

A duhet kryetari i shtetit sirian, Assad, të përgjigjet para Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës? Ministri gjerman i Jashtëm, Westerwelle, thotë po. Një takim i Ligës Arabe për Sirinë u shty për më vonë. “Më e mira do të ishte të nxirrje Assad-in para Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës”, thotë ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. Në mënyrë që të pengohet gjakderdhja, për ministrin gjerman është e imagjinueshme edhe dalja në ekzil e Baschar al-Assad-it. “Nëse Assadi largohet vullnetarisht jashtë vendit, në mënyrë që të pengojë gjakderdhjet e tjera, atëherë ndjekja penale për mua nuk do të ishte prioritare”. Westerwelle kritikoi Rusinë dhe Kinën për sjelljet në Këshillin e Sigurimit: “Rusia dhe Kina mbajnë përgjegjësi të rëndë nëse nuk i japin fund bllokadës politike në Këshillin e Sigurimit dhe i largojnë dorën e mbështetjes Assadit. “Ministri i Jashtëm hodhi sërish poshtë idenë e sulmeve ushtarake mbi Sirinë: “Në situata të tilla ekziston një ndjenjë pikëllimi dhe mungesë force. Një ndërhyrje ushtarake do t’i shtonte problemet nuk do t’i zvogëlonte, sepse me ndërhyrjen ushtarake ekziston rreziku i shpërthimit të mëtejshëm”. E shqetësuar nga përdorimi i mundshëm i armëve kimike dhe ashpërsimi i gjendjes së refugjatëve në Siri, SHBA dhe Turqia kanë bashkuar forcat strategjike. Me krijimin e një Task-Force të përbashkët, po bëhen përgatitjet për rastin më të keq, njoftuan ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton, dhe kolegu i saj turk, Ahmet Davutoglu, pas një takimi në Stamboll. Ky shtab krize do të jetë përgjegjës për koordinimin e reagimeve në nivel ushtarak, politik dhe të shërbimeve sekrete, nëse do të ketë përdorim të armëve kimike apo rritje dramatike të numrit të refugjatëve. Davutoglu vuri theksin te krijimi i një “zone sigurie” në Siri, për të mbrojtur refugjatët nga sulmet e mundshme të trupave apo avionëve ushtarakë të Assad-it. “Ne duhet të përgatitemi në rast të një sulmi”, tha Davutoglu më tej, pa përmendur hollësi. 55.000 sirianë ndodhen aktualisht në Turqi, ku kanë gjetur strehim. Përditë 2 deri 3 mijë vetë largohen nga vendi. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 150 mijë sirianë janë larguar në vendet fqinje. Për çështjen e krijimit të zonës së ndalim-fluturimit në territoret që mbahen nga rebelët, Clinton tha se kjo është një pikë për të cilën është duke u biseduar intensivisht me Turqinë. Krijimi i zonës së ndalim-fluturimit duhet bërë me mjete ushtarake, gjë të cilën Perëndimi është duke mos e favorizuar tani për shkak të Rusisë dhe Kinës. Në vitin 2011 Perëndimi përkrahu luftën e rebelëve libianë kundër pushtetmbajtësit Muammar Gaddafi, me krijimin e një zone të ndalim-fluturimit. Në sfondin e konfliktit në Siri, Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur në Londër pjesëmarrjen e anijeve ushtarake në manovrat që zhvillohen në Mesdhe. Dërgimi i anijeve është planifikuar prej kohësh për tu realizuar në tetor apo nëntor dhe është pjesë e një manovre me aleatët në kuadër të “Response Force Task Group” (RFTG), tha një zëdhënës i ministrisë. Mediat ruse patën njoftuar më parë se Britania e Madhe dhe Franca kanë bërë plane për dërgimin e aeroplanmbajtëseve në ujërat para Sirisë. Siria kufizohet në perëndim me Mesdheun. RFTG është një trupë e shpejtë marine që përdoret për rastet e krizave në gjithë botën, tha ministria. Është e vetëkuptueshme që janë përgatitur një seri skenarësh të mundshëm, nëse rasti bëhet serioz. Aktualisht nuk janë bërë ndryshime në planifikimet afatgjata të RFTG. Një takim i planifikuar për tu mbajtur ditën e diel, i vendeve të Ligës Arabe u shty pa bërë të ditura arsyet. As data e re e takimit të ministrave të Jashtëm, i planifikuar për tu mbajtur në Xhidda të Arabisë Saudite, nuk u bë e ditur. Në këshillime do të bëhej fjalë për të ngarkuarin e ardhshëm të KB me Sirinë dhe Ligës Arabe. Për këtë post është propozuar ish-ministri i Jashtëm algjerian, Lakhdar Brahim.

Shtyhet takimi i liderëve arabë për Sirinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›