E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri: Marrëveshja e Ohrit, e ardhmja e Maqedonisë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është marrëveshja e së ardhmes së Maqedonisë.
Ai këtë e theksoi mbrëmë në ceremoninë e shënimit të 11 vjetorit të firmosje së këtij dokumenti që parandaloi konfliktin e armatosur në vitin 2001.

“Kompromisi i arritur 11 vjet më parë është bazë për bashkëjetesën, garanci dhe përparime për shoqërinë tonë. Kjo marrëveshje ishte dhe mbetet investimi më i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e vendit. Ky investim jo vetëm që ndërpreu konfliktin, por ndërtoi themelet e një shoqërie të re dhe një ardhmëri më të mirë për të gjithë që jetojnë në Maqedoni”, deklaroi zëvendëskryeministi Xhaferi në ceremoninë e zhvilluar mbrëmë në Shkup me rastin e shënimit të 11 vjetorit të nënshkrimit të saj.

Sipas tij, ky dokument është më shumë se një marrëveshje, që filloi në vitin 2001 dhe do të vazhdojë edhe më tutje. Ai nënvizoi se Marrëveshja e Ohrit gëzon akoma mbështetjen e fuqishme të partnerëve dhe faktorëve relevant ndërkombëtar.

Në ceremoninë e organizuar në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Nikolla Gruevski dhe presidenti Gjorgje Ivanov, të cilët janë në pushime verore. Në radhët e Qeverisë kanë marrë pjesë ministrat Vlladimir Peshevski – zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, ministri i jashtëm Nikolla Popovski, ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov, përfaqësues të partive tjera si të LSDM-së opozitare, kori diplomatik si dhe prania e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Në këtë përvjetor sërish nuk kanë marrë pjesë liderët e partive PDSH, RDK dhe partive tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›