Tensionet Kosovë- Serbi, ndërhyn Gjermania, Baerbock të enjten në Tiranë, bisedime me liderë të të 2 vendeve

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock do të udhëtojë nesër (të enjten) drejt Tiranës, mes tensioneve në rritje Kosovë- Serbi.
“Baerbock do të bisedojë me liderët nga Serbia dhe Kosova dhe do të vazhdojë t’u kërkojë të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin e konfliktit gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri”, njoftoi të mërkurën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.
Takimet në Shqipëri janë pjesë e “Procesit të Berlinit”, i cili filloi në vitin 2014 për të nxitur bashkëpunimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kriza e fundit mes Kosovës dhe Serbisë u shkaktua pasi paraushtarakët serbë sulmuan policinë në veri të Kosovës, duke vrarë një polic.
Sulmi çoi në përleshje me armë dhe një përplasje në një manastir ortodoks të pushtuar nga një grup i armatosur rëndë. Beogradi, më pas vendosi trupat ushtarake serbe në pozicione afër kufirit. Serbia thuhet se ka filluar të zvogëlojë grumbullimin e saj ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën gjatë ditëve të fundit.
Gjermania, të mërkurën, e quajti tërheqjen e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm”, por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të ulur tensionet me fqinjin e tij.
Duke folur për mediat në Berlin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Kathrin Deschauer, tha se situata në rajon është “mjaft shqetësuese”, në vazhdën e raundit të fundit të dhunës vdekjeprurëse në veri të Kosovës.
“Serbia e ka për detyrim që, pa mëdyshje, të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është e tensionuar. Shenjat e para të reduktimit të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit. Megjithatë, ne duam të theksojmë sërish se tani duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm drejt de-përshkallëzimit”, tha ajo.
Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes tha se aktualisht nuk ka plane për të rritur numrin e trupave gjermane të dislokuara në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.
Për momentin janë 71 ushtarë gjermanë në terren si pjesë e misionit.
Tensionet janë rritur që kur një polic kosovar dhe tre persona të armatosur lokalë serbë u vranë gjatë një përleshje me armë më 24 shtator në fshatin Banjska të Kosovës veriore.
Një numër i madh i forcave të sigurisë janë dërguar në rajon dhe pikëkalimi kufitar Bërnjak, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është mbyllur.
/rtsh.al/