E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensionet Milan-Juve fundi i nje aleance

Klima tejet e tensionuar në fushë dhe jashtë saj mes Milanit dhe Juventusit, i ka dhënë fund “aleancës” mes dy klubeve, por vec kësaj mund të pasohet nga dënime të ashpra për protagonistët e sjelljeve të pahijshme.

I pari që rrezikon më shumë që të ndëshkohet nga gjykatësit sportivë italianë, është Muntari për goditjet me bërryl ndaj mbrojtësit juventin, Lihtshtajner. Seriozisht rrezikon edhe mbrojtësi kuqezi, Mekses për goditjen ndaj Borrielos, dy episode të regjistruara në pjesën e dytë të takimit.

Ndëshkim rrezikojnë edhe Kielini me Ambrozinin, protagonistë të zënkës pas përfundimit të takimit. Por përvec tyre masa ndëshkimore mund të merren edhe ndaj drejtorit sportiv të Milanit, Adriano Galiani dhe trajnerit juventin Antonio Konte. Këta të fundit për debatin anti-sportiv që kanë patur në korridoret e San Siros në pushimin e takimit.

Ndërkohë, Bufon është vënë në qendër të kritikave, sidomos nga tifozët milanistë pas deklaratës së tij në lidhje me golin e Muntarit, ku tha se nuk e kishte parë nëse topi e kaloi vijën apo jo. Kritikat kanë qenë aq të forta sa disa zëra kanë kërkuar heqjen e shiritit të kapitenit të kombëtares italiane për të. Por përkundër këtyre deklaratave, ka dalë vetë tekniku i kombëtares “axurre”, Prandelli. Ai tha se nuk e ka çuar as e çon nëpër mend heqjen e shiritit të kapitenit për Bufon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›