Tensionet në Kuvend, ambasadori gjerman: Ka mënyra të ligjshme për të kundërshtuar

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka folur për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, si edhe kaosin e krijuar në Parlament nga opozita.
Diplomati Bergner, në një deklaratë për mediat nga qyteti i Korçës, u shpreh se konsultimet me BE për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët po vazhdojnë.
“Ne kemi marrë dokumentet dhe memorandumin e mirëkuptimit pak ditë më parë dhe është pak herët për të dhënë komentet dhe mendimet e mia në lidhje me detajet”, tha ambasadori gjerman.
Sa i përket bllokimit të seancave parlamentare dhe Komisioneve nga ana e opozitës, u shpreh se: “Sinqerisht do të shpresoja të shihja shumë shpejt opozitë më të bashkuara që të luajnë rolin e tyre si kontrollues të qeverisë në një mënyrë më të mirë”.
“Mendoj se nëse gjërat çohen deri në protestë nuk do të shkojë mirë pasi gjithë përpjekjet duhet të shkojnë në formulimin e rregullave për qeverisjen. Mendoj se duhet të bëjnë përpjekje për të ofruar propozimet e tyre. Deri më tani shoh më shumë energji duke penguar parlamentin. Por mendoj se ka mënyra të tjera më të drejta për të kundërshtuar diçka që është zgjedhur nga qeverisja”përfundon deklaratën ambasadori.
/rtsh.al/