Tensionet në veri/ Meta: Tendencë e Rusisë për të krijuar vatra të reja krize, mbështesim institucionet e Kosovës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Për Metën tërheqja e Listës Serbe nga institucionet janë një tendencë e vazhdueshme e Rusisë së Putin për të përshkallëzuar luftën në Ukrainë dhe për të krijuar vatra të reja krize në botë.
Në një reagim në Facebook, Meta shkruan se tensionimi i situatës në komunat veriore të Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura kriminale, që komandohen nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.
Teksa bën thirrje për ulje të tensioneve, Kreu i PL shpreh mbështetje për çdo veprim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur rendin demokratik e kushtetues të vendit.
“Tensionimi i situatës në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura kriminale, që komandohen nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.
Kjo situatë përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë dhe tërheqjen e vëmendjes së opinionit botëror me krijimin e tensioneve dhe vatrave të reja të krizës në vende të ndryshme të botës.
Mbështesim çdo veprim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur rendin demokratik e kushtetues të vendit dhe bëjmë thirrje për ulje të tensioneve.
Qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës.
Bëjmë thirrje që drejtuesit shtetërorë dhe institucionalë të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE dhe NATO të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Të gjithë me vetëpërmbajtje, durim dhe largpamësi duhet t’i shërbejnë forcimit të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës europiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit tonë!”, shkruan në reagim Meta.
/rtsh.al/