E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensionohet situata në Durrës, protestuesit thyejnë Prefekturën dhe përplasen me policinë

Situata është përshkallëzuar në Durrës, Shkodër e Korçë ku protestuesit, kryesisht gjimnazistë, janë përplasur ashpër me efektivët e policisë.

Sipas raportimeve nga terreni, në Durrës të rinjtë kanë hedhur gurë në drejtim të policisë, kanë thyer dyert e prefekturës, ndërsa tensionet janë rritur pas ndërhyrjes së efektivëve dhe arrestimeve të protestuesve. Pavarësisht përdorimit të gazit lotsjellës dhe kordonit policor, protestuesit kanë vijuar tubimin dhe kanë arritur të çajnë rrethimin e policisë.

Protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ku raportohen përplasje mes të rinjve dhe forcave të rendit, si dhe arrestime.

Në Elbasan, sipas pamjeve të publikuara nga mediat, disa efektivë civilë dhe policë me uniformë kanë ndërhyrë për të shoqëruar një adoleshent 15-vjeçar, i cili dëgjohet të deklarojë moshën e tij gjatë arrestimit.

Ndërkohë, në Korçë, gjimnazistë dhe nxënës të shkollave 9-vjeçare kanë protestuar duke kërkuar lirimin e bashkëmoshatarëve të arrestuar. Gjatë tubimit janë shkulur tabela dhe reklama rrugore, ndërsa janë djegur edhe stola pranë teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Sipas raportimeve nga Korça, prindërit e disa të rinjve të arrestuar nuk janë njoftuar për procedurat e ndjekura nga policia.

Edhe në Shkodër situata është tensionuar, ku dhjetëra efektivë janë angazhuar në arrestimin e një protestuesi. Sipas pamjeve të publikuara nga mediat, i riu është futur me forcë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.

Protestat e të rinjve po zhvillohen në disa prej qyteteve kryesore të vendit, ndërsa raportimet për përplasje, arrestime dhe përdorim të forcës nga policia vijojnë. a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›