E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentohet sërish nxjerrja e romëve nga strehimet e tyre, ndërhyn policia

TIRANE – Tentohen të nxirren sërish nga strehimet e tyre romët në Rrugën e Kavajës në kryeqytet. Situata është tensionuar së tepërmi mbrëmjen e sotme kur ndaj komunitetit rom që banon në këtë zonë janë shtuar presionet nga firma ndërtuese, për t’i larguar nga strehimet e tyre.

Mësohet se policia ndodhet në vendngjarje dhe po ndërhyn në ndihmë të komunitetit rom, në zbatim të urdhrit të drejtorit të policisë Hysni Burgaj për të mos lejuar dëbimin e romëve, derisa të sqarohet situata. 

Pak ditë më parë, Burgaj ka dhënë një urdhër për pezullimin e vendimit për largimin e 37 familjeve rome nga kjo zonë. Situata erdhi pas takimit të Avokatit të Popullit me ndërkombëtarët, të cilët u shprehën shumë të shqetësuar për këtë çështje. Sipas burimeve, në urdhrin e Burgajt shkruhet se: “Nuk do të lejojmë asnjë dëbim të familjeve rome. Firma ndërtuese nuk do lejohet të ndërmarrë asnjë veprim pa u sqaruar situata, pa pasur titull ekzekutiv të Përmbarimit dhe leje mjedisore nga Bashkia”.

Megjithatë, një ditë më parë firma ndërtuese prishi 8 baraka ku banojnë familjet rome. Përfaqësues të Avokatit të Popullit theksojnë se ka pasur sërish presione ndaj romëve, ndërsa i bëjnë apel policisë që të procedojë ata që kërcënojnë romët në këtë zonë.

“Policia të jetë prezente në këtë zonë dhe të ndërpresë veprime të tjera të paligjshme. I bëjmë thirrje z. Burgaj dhe Policisë së Shtetit të marrë të gjitha masat e nevojshme për të ndjekur penalisht të gjithë ata që kërcënojnë qytetarët, e në këtë rast qytetarët romë. Avokati i Popullit do të dërgojë për ndjekje penale të gjithë ata funksionarë të shtetit të cilët nuk kryejnë detyrën e tyre.” - shprehen përfaqësuesit e Avokatit të Popullit.

Gjatë një takimi që Avokati i Popullit, Igli Totozani pati me përfaqësues ndërkombëtarë për problemin e familjeve rome, ata ngritën alarmin për situatën e krijuar dhe kërkuan marrjen e masave urgjente. Nga ana e tij, ambasadori Wilton theksoi se OSBE-ja është mjaft e shqetësuar për situatën e krijuar me komunitetin rom në Tiranë. Ai kërkoi që institucionet shtetërore të marrin parasysh kërkesat e Avokatit të Popullit në drejtim të romëve.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Amnesty International: Të ndërhyhet urgjentisht për romët e dëbuar!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›