E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentohet vjedhja e kasafortës së zyrave doganore

Gazeta Shqip

Tiranë

Persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin zyrat e doganës së Tiranës, duke planifikuar marrjen e një kasaforte, por nuk kanë mundur ta hapin dhe janë larguar duarbosh. Sipas policisë, që ka mbërritur menjëherë pas njoftimit në vendngjarje, grabitësit janë munduar të hyjnë në ndërtesë nëpërmjet një tjetër godine. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Disa persona, që mendohet se kanë qenë tre veta, kanë tentuar të prishin murin që të çon në zyrën e financës. Por, tentativa e grabitësve ka mbetur pezull, dhe nuk dihet arsyeja pse autorët nuk kanë mundur ta çojnë përpara. Sipas policisë, mendohet se ka zbardhur dita dhe ata e kanë lënë punën për ndonjë ditë tjetër. Forcat e Komisariatit nr. 6 të kryeqytetit kanë mbërritur në vendngjarje për të mbledhur provat e domosdoshme. Janë sekuestruar gjurmët e gishtave si dhe janë kryer veprimet e tjera hetimore, ndërkohë që është marrë në pyetje edhe stafi i punonjësve të doganës së kryeqytetit. Sipas policisë, disa të dyshuar janë shoqëruar në komisariat, por nuk është lëshuar ndonjë urdhër arresti.

Tentohet vjedhja e kasafortës së zyrave doganore burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›