Tentoi të fuste ilegalisht në Shqipëri 680 mijë euro, arrestohet 51-vjeçari

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Një 51-vjeçar është arrestuar në Shkodër pasi fshehu 680 595 euro, në dyert e modifikuara të automjetit që drejtonte, me qëllim futjen e tyre ilegalisht në Shqipëri.
Policia e Shkodrës ka sekuestruar shumën e parave që dyshohet se rrjedhin nga krimi, automjetin tip “Benz” dhe 2 celularë.
Policia e Shkodrës njofton se “si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Burimi”.
Gjatë operacionit, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua shtetasi L. N., 51 vjeç, banues në Fushë-Milot.
Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri. Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
/a.f/r.e/