Tabaku: Buxheti 2025, i papërgjegjshëm dhe larg interesave të qytetarëve

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi buxhetin e vitit 2025 dhe politikat ekonomike të qeverisë.
Gjatë diskutimit sot të pr/buxhetit 2025, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend, Tabaku argumentoi se buxheti i ri nuk përfaqëson interesat e qytetarëve dhe favorizon një ekonomi të ndërtuar mbi interesat e ngushta të oligarkëve dhe bizneseve të mëdha, duke përjashtuar përfitimet për qytetarët e zakonshëm.
Tabaku e konsideroi buxhetin e propozuar si “të papërgjegjshëm” dhe si një vazhdimësi e një modeli që ka çuar në varfërimin e shqiptarëve dhe plakjen e popullsisë.
“Shqipëria po plaket. Shumica e shqiptarëve janë pensionistë dhe qeveria kujtohet për ta vetëm kur afrohen zgjedhjet,” tha Tabaku, duke theksuar se rritja e çmimeve dhe kushtet ekonomike po i shtyjnë të rinjtë të largohen nga vendi. Sipas saj, rritja e kostos së jetesës me mbi 55% gjatë dekadës së fundit është pasojë e drejtpërdrejtë e kapjes së tregut dhe monopolizimit të tij nga një grusht biznesesh, që sipas saj, kanë krijuar një klimë oligopoliste.
Tabaku u ndal gjithashtu te politika fiskale, duke e cilësuar si të pabarabartë dhe të ngarkuar me taksa që nuk mbështesin as sipërmarrësit, as qytetarët e zakonshëm.
Ajo nënvizoi se taksa e shtresuar me 5 apo 6 nivele nuk stimulon ekonominë, por shërben si një mjet për të rënduar xhepat e qytetarëve. Në vend të një modeli që përqendrohet tek ndërtimi i qendrave urbane dhe përfitimet për oligarkët, ajo sugjeroi një kalim drejt një ekonomie të mbështetur tek industria, bujqësia dhe turizmi, një model ekonomik që përfshin dhe zhvillon të gjitha shtresat e shoqërisë.
Përveç ekonomisë, Tabaku ngriti shqetësimin mbi trajtimin e pensionistëve, duke e cilësuar kujdesin e papritur të qeverisë ndaj tyre si një veprim elektoral dhe të vonuar.
“Kur bëtë Reformën e Pensioneve, nuk arritët t’u ofroni pensionistëve një shpërblim dinjitoz, por sot kujtoheni për ta vetëm se ju duhen votat. Rritja qesharake e pensioneve me 20 lekë në ditë nuk është zgjidhje për një situatë ekonomike, që po rëndon gjithnjë e më shumë mbi shpatullat e tyre”, u shpreh Tabaku.
Duke përfunduar fjalën e saj, Tabaku kritikoi edhe planin e qeverisë për të ulur informalitetin, duke vënë në dukje se këto janë aksione periodike që nuk i japin zgjidhje shkakut të vërtetë të informalitetit, i cili sipas saj buron nga politika e taksave të larta dhe sistemi fiskal i ngarkuar. Ajo theksoi se vetëm një ofertë e vërtetë ekonomike, që punon për qytetarin dhe që përqendrohet në sektorët e domosdoshëm për zhvillim si arsimi, infrastruktura dhe shëndetësia, mund ta rikthejë shpresën tek qytetarët.
Në mbyllje, deputetja e PD-së deklaroi se arkitektët dhe ideatorët e këtij sistemi të kapur dhe të korruptuar nuk mund të sjellin ndryshimin që shqiptarët kërkojnë.
Ajo theksoi se vetëm Partia Demokratike, me një ofertë të re ekonomike dhe një model të ri zhvillimi, mund të përmbushë nevojat e vërteta të qytetarëve shqiptarë dhe të rikthejë ekonominë për të punuar për shumicën, jo vetëm për një pakicë të privilegjuar.
/r.e/a.f/