Tentojnë të grabisin banesën, përleshen me familjen dhe përfundojnë në spital
Elbasan
Jurgen Biba ka gjetur tre grabitës, duke i rrahur të atin dhe dy prej tyre i ka plagosur me kaçavidë
Kanë menduar të grabisin një familje në Katund të Ri pranë Elbasanit, por nuk i kanë bërë llogaritë mirë, pasi kanë mbetur të plagosur nga anëtarët e familjes, të cilët janë përleshur me ta. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 19.30 në fshatin Katund i Ri të Komunës Bradashesh në periferi të qytetit të Elbasanit. Tre të rinj kanë shkuar të grabisin një shtëpi dhe kanë gjetur brenda kryefamiljarin Fejzulla Biba, të cilin e kanë rrahur që ai të tregonte ku i kishte paratë. Në këtë kohë, djali i familjes, Jurgen Biba, ka zbuluar atë që po ndodhte dhe ka kapur një kaçavidë, duke sulmuar të rinjtë, të cilët i ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Ai ka sulmuar tre personat me mjetin rrethanor që kishte gjetur, pasi ka parë se po i keqtrajtonin të atin. Nga informacionet paraprake bëhen të ditur identitetet e dy prej autorëve të grabitjes, tashmë të plagosur. Ata janë Shemsi Gjolena dhe Indrit Shehu, banues në lagjen Vullnetari të qytetit të Elbasanit. Policia ka mësuar për ngjarjen vetëm pasi janë transportuar të gjithë të plagosur në kirurgjinë e Elbasanit. Shemsi Gjolena është në gjendje të rëndë në sallën e operacionit. Ai ka pësuar një goditje kaçavide në pjesën e barkut dhe ka hemorragji. Ende agjentët nuk kanë identifikuar personin e tretë të përfshirë në këtë ngjarje, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i grabitjes. Në spital ka përfunduar edhe i biri i familjes, Jurgen Biba, pasi ka marrë disa plagë gjatë përleshjes. Nga dëshmitë e para të dhëna në polici mësohet se autorët kanë gjetur momentin kur në shtëpinë Biba nuk ka pasur persona të tjerë veç të zotit Fejzulla Biba. Në ato momente është kthyer në shtëpi djali i Fejzullait, i cili ka dëgjuar të bërtiturat dhe ka marrë një kaçavidë në oborr. Menjëherë është futur brenda dhe ka sulmuar tre autorët. Njëri prej tyre është larguar, duke u shpëtuar goditjeve. Gjithashtu, edhe i riu është goditur nga autorët me grushte dhe në këtë kacafytje të tre kanë përfunduar në spital. Policia është duke hetuar mbi emrin e personit të tretë të përfshirë në këtë ngjarje. Sipas pretendimeve të familjarëve, kjo ishte një grabitje, ndërkohë që mund të procedohet penalisht edhe Jurgen Biba. Bardha Nergjoni
Tentojnë të grabisin banesën, përleshen me familjen dhe përfundojnë në spital burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email