Të dogja makinën, tani do të të djeg ty
Kërcënimi i ri i Dorina Rukës për ish të dashurin, që nuk i dha dhuratë për Shën Valentin
Silvana Muça
Dorina Ruka, 29-vjeçarja që dogji makinën e të dashurit, në ditën e Shën Valentinit, pasi ai nuk i bëri dhuratë, ende nuk është kënaqur me hakmarrjen ndaj tij. Tri ditë më parë ajo e ka kërcënuar Adriatik Shekon me jetë. Përplasja mes palëve ka ndodhur pasditen e së martës, në një lokal te kompleksi i pishinave pranë Liqenit Artificial. Sapo e reja e ka parë ish të dashurin duke pirë kafe, i është vërsulur që ta ofendojë dhe kërcënojë me një lumë fjalësh. Siç ta dogja makinën, ashtu do të djeg edhe ty, i ka thënë ajo mes të tjerave Shekos. Menjëherë pas kësaj, i kërcënuari ka shkuar në polici për të denoncuar 29-vjeçaren që vazhdon ta përndjekë. Burimet thanë se Ruka është shpallur në kërkim policor, për tu marrë në pyetje rreth pretendimit të kallëzuesit. Policia ka pasur arsye që ta marrë seriozisht denoncimin e Adriatik Shekos, sepse ish e dashura e tij ka qenë e arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe kanosje me jetë të ish-bashkëshortit për kujdestarinë e vajzës. Duke ditur të shkuarën e Rukës, Sheko jeton me frikën se mos ish e dashura vë në jetë kërcënimin që i bëri publikisht. Ai kërkon që policia ta arrestojë dhe ti garantojë jetën.
E reja nuk është person i panjohur për policinë, pasi ajo është arrestuar edhe për vepra të tjera penale. Në nëntor të 2010-s është dënuar me 8 muaj burg për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes së ish-bashkëshortit Erjon Ruka. Ajo është konfliktuar me të, ku molla e sherrit ka qenë kujdestaria e vajzës që çifti kishte nga martesa. Në gjaknxehtësi e sipër, ajo i ka nxjerrë pistoletën, duke e kërcënuar se do ta vriste. E gjithë ngjarja është zhvilluar në prani të vogëlushes. Erjon Ruka është trembur e për pasojë ka ulur tonet, duke u larguar nga ish-bashkëshortja. Pas kësaj, ai ka njoftuar policinë, e cila i ka gjetur armën e zjarrit, tip pistoletë nën sediljen e një automjeti që 29-vjeçarja ia kishte marrë hua një personi të tretë. Në deklaratën e saj është shprehur se arma e krimit ka qenë në pronësi të ish-bashkëshortit të saj dhe se e kishte me vete për tia rikthyer. Pavarësisht kësaj, Ruka u dënua pasi u gjetën prova të pakundërshtueshme për kallëzimin që kishte bërë ish-bashkëshorti.
Në shkurt të këtij viti, Dorina Ruka i ka vënë flakën makinës së dashurit të saj, Adriatik Shekos. Motivi që e ka shtyrë 29-vjeçaren drejt këtij akti ekstrem ka qenë harresa e të dashurit në ditën e Shën Valentinit dhe xhelozia. E divorcuara dyshonte se i dashuri i saj frekuentonte femra të tjera në një kohë që kishte një lidhje dashurie me të. Në shenjë hakmarrjeje ndaj dyshimeve për tradhti dhe zemërimit që i dashuri nuk i kishte bërë dhuratë ditën e shënuar, ajo i ka vënë flakën mjetit të tij tip Chevrolet, në një parking në rrugën Muhamet Gjollesha. Si pasojë e kësaj, një mjet tjetër me targa maqedonase, që dyshohet se ka qenë në pronësi të djalit të Presidentit maqedonas, u përfshi nga flakët, pasi ishte parkuar pranë Chevrolet-it. Arrestimi i saj është bërë në Rinas, në një hark të shkurtër kohor, në bazë të provave materiale që e implikonin të renë në djegien e makinës. Ajo u akuzua për veprën penale shkatërrim të pronës me zjarr dhe tashmë i duhet të përballet me një tjetër akuzë.
Të dogja makinën, tani do të të djeg ty burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email