E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë të ndalojnë Drejtorin e Doganës që të japë shpërblime në këmbim të votave, arrestohen!

bujarNdodh edhe kështu. Një grup të rinjsh të Partisë Socialiste kanë tentuar që të ndalojnë Drejtorin e Doganës së Tiranës, Bujar Vukaj, i afërm i familjes Berisha, që të japë shpërblime për njerëzit në këmbim të votës.

Por të rinjtë kanë përfunduar në qelitë e komisariatit nr.3 për këtë veprim.

Siç raporton A1Report, të rinjtë e arrestuar janë Elton Doçi, Iris Martini, Besnik Marku dhe Ani Semaj.

Bashkë me Drejtorin e Doganës së Tiranës ishte edhe kandidati i PD, Gazmend Dibra, i famshëm për këto marifete.

Ata jo vetëm po shpërndanin shpërblime, por po tentonin të jepnin edhe karta identiteti.

Avokati i të rinjve, Plarenc Shehu, tha se ai do të bëjë një padi ndaj Drejtorit të Doganës, Bujar Vukaj.

Jemi informuar se rreth mesnatës, ora 01:00, disa aktivistë të kandidatit të PS-së, Rakip Suli, janë shoqëruar në rajonin e policisë nr.3.

Nga stafi i kandidatit rezulton se një grup i caktuar njerëzish, me në krye Drejtorin e Doganës së Tiranës, janë kapur nga aktivistët e z.Rakipi, duke shpërndarë shpërblime në para personave të caktuar në rrugën Josif Pashko.

Për këtë arsye, ata kanë tentuar ta ndalojnë këtë veprimtari dhe në këtë moment janë lajmëruar forcat e policisë që kanë bërë shoqërimin e tyre.

Tani është ora 3 pas mesnate dhe nuk po na jepet asnjë shpjegim pse ata mbahen për aq orë aty.

Tani sapo ka përfunduar një kallëzim penal, i bërë nga njeri prej anëtarëve të stafit, që nuk është shoqëruar, i cili ka informuar organin e procedurës për të nisur procedimin penal për shtetasit që kanë kryer këtë veprimtari të paligjshme dhe konkretisht për Drejtorin e Doganës së Tiranës, që ka kryer aktivisht veprime penale.

Janë administruar edhe foto të makinës së drejtorit. Siç duket, Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të ndërprerë këtë veprimtari të paligjshme, që është konstatuar nga aktivistët e kandidatit Rakip Suli.

Ajo që është për tu theksuar dhe bën çudi në këtë histori është se janë mbledhur për 10 minuta forca të shumta policie me në krye nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, z.Breçani, fakt ky që tregon që aktivistët e z.Suli kanë ndërprerë një veprimtari që bëhet rëndom, tha Shehu./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›