E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Meta: Do mbrojmë çdo votë. Koalicioni i majtë merr 80 mandate

meta me ramenDy ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, kryetari i Partisë socialiste, Edi Rama dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i bën apel qytetarëve të votojnë masivisht në këto zgjedhje, të cilat sipas tyre janë tepër të rëndësishme për vendin. Në një konferencë të përbashkët, e para që nga muaji Prill kur këto dy parti firmosën marrëveshjen mes tyre, Rama dhe Meta u shprehën të bindur në fitoren e së majtës në këto zgjedhje, madje sipas tyre ky koalicion do të arrijë të marri deri në 80 mandate.
Edi Rama
Në fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama vlerësoi fushatën e zhvilluar gjatë këtyre ditëve ndërsa shtoi se festa e fitores do të bëhet pas vulosjes së rezultatit. Rama siguroi gjithashtu se PS dhe aleatët e saj do të mbrojnë votën e çdo qytetari në këto zgjedhje. Edhe pse fushata jonë ka marrë formën e një feste ne do festojmë pas fitores, kur vula të jetë vendosur mbi rezultatet që presim. Duam tju drejtohemi atyre që na kanë mbështetur, për këto 48 orë që janë më të rëndësishmet. Çdo votë duhet mbrojtur dhe mbrojtja më e sigurt është dyfishimi i votës tënde me atë të dikujt tjetër. Sigurohuni që ditën e diel të keni dy vota të siguruara. Ju lutem emigrantëve që nuk ia dalin dot të jenë këtu, të mos reshtin së kërkuari dy vota të sigurta në Shqipëri, njësoj sikur të ishin këtu, tha Rama.
Ilir Meta
Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta në fjalën e tij konfirmoi edhe një herë se bashkëpunimi mes PS-së dhe LSI-së do të jetë afatgjatë. Dua të konfirmoj vendosmërinë tonë për të bashkëpunuar shumë ngushtë me Partinë Socialiste por dhe me të gjithë subjektet e tjera që kanë përgjegjësitë e tyre në administrimin e këtij procesi zgjedhor për të mbrojtur edhe një votë të vetme nga çdo tentativë tjetërsimi dhe trysnie sepse edhe një votë e vetme është mjaft e rëndësishme për të gjithë standardin e këtyre zgjedhjeve, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh i bindur se koalicioni i majtë do të arrijë të marrë në këto zgjedhje 80 mandate deputetësh. Unë shpreh besimin e plotë se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të fitojë 80 mandate. Është e qartë se kjo është aleanca më e madhe që nga viti 1992, që ka marrë pjesë në zgjedhjet elektorale dhe jo vetëm kaq, por kjo aleancë do të vijë duke u zgjeruar pas 23 qershorit, sepse në themel të saj është fryma e bashkëpunimit dhe e gjithëpërfshirës, theksoi Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›