Tenton gjakmarrjen, ndalohet nga policia
Blutë ndaluan në kohë një 28-vjeçar, i cili ishte nisur për të vrarë një shtetas
SHKODËR - Policia e Shkodrës ndaloi një 28-vjeçar me banim në Dobraç, ndërsa po përpiqej të realizonte një vrasje. Sipas policisë, Sead Rustemi, i dënuar dy herë më parë për armëmbajtje pa leje dhe gjobëvënie, është ndaluar në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës në afërsi të shkollës së muzikës, dhe me vete i është gjetur një armë pistoletë TT që e mbante pa leje dhe me të cilën do të realizonte një vrasje për gjakmarrje. Mësohet se lëvizjet e Sead Rustemit janë kontrolluar nga agjentët e policisë kriminale, pasi kishin informacion se do të vriste vëllanë e autorit të një vrasjeje të ndodhur në qytetin e Shkodrës më 4 nëntor 2005, ku mbeti i vrarë shtetasi Ylber Rustemi. Autori i kësaj vrasjeje është i dënuar dhe ndodhet në burg, ndërsa dyshohet se Sead Rustemi, do të merrte hakun, pavarësisht dhënies së dënimit sipas ligjeve të shtetit. Gjatë kontrollit të bërë nga policia në banesën e Sead Rustemit, u gjet edhe një pistoletë tjetër, tip “Zastava”, me 31 fishekë. Sead Rustemi, banues në Dobraç të Shkodrës, ka qenë i dënuar dy herë, për “armëmbajtje pa leje” dhe për “gjobëvënie”. Për veprën e fundit ai ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 8 vjet heqje lirie dhe dy milionë lekë gjobë, dënim i cili më pas ishte konvertuar në lirim me kusht. Tashmë, përveç akuzës së ngritur, Rustemit do t’i duhet të vuajë edhe dënimin prej tetë vjetësh, të cilin nuk e kishte kryer.