E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memec përjetë pas një debati pa motiv

 

Devoll- Ka mjaftuar një grindje e vogël për t’ia hequr zërin përjetë 22-vjeçarit Bledion Nalbapi, një heqje zëri jo në mënyrë figurative. I kanë prerë kordat e zërit ndërsa e qëlluan me thikë mbrëmjen e së premtes, duke e lënë memec për gjithë pjesën tjetër të jetës së tij. Personi që e qëlloi, që dyshohet të ketë qenë i dehur në momentin e veprimit, u vu në pranga vetëm dje nga policia, ndërsa kërkonte të arratisej në shtetin fqinj për t’i shpëtuar kështu ndëshkimit për krimin e kryer ndaj 22-vjeçarit, i cili pas fatkeqësisë iu drejtua Spitalit Ushtarak të Tiranës, për t’i shpëtuar të paktën jetën, sepse zëri s’do t’i dëgjohet më.

Ngjarja

Pasioni për të mbushur skedinat për ndeshjet sportive e për të fituar, duket se ka qenë edhe shkaku i grindjes midis Artan Osmanllarit, 32 vjeç, dhe Bledion Nalbapit, dhjetë vjet më i ri se ai. Mësohet të kenë qenë fillimisht duke diskutuar, por si çdo lojë ku pasioni hyn në mes, situata është nxehur. Osmanllari mësohet të jetë ngritur nga tavolina ku ishte ulur dhe të jetë drejtuar nga 22-vjeçari pa një shkak të qartë. Djaloshi është fyer dhe goditur nga 32-vjeçari, pa ditur të mbrohet. E duket se nuk ka përfunduar me kaq, pasi më pas Artani ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar Nalbapin. Dëshmitarët treguan se autori kërcënoi edhe personat e tjerë që ndodheshin në brendësi të ambienteve të lotos.

Arrestimi

Pas ngjarjes, Osmanllari është larguar me shpejtësi, duke i shpëtuar ndalimit nga policia. Kjo e fundit vetëm pas gjashtë orë kërkimesh ka mundur ta gjejë në afërsi të kufirit që lidh Shqipërinë me Greqinë. Osmanllari, ndaj të cilit tashmë është ngritur akuza e “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” u kap në afërsi të Kapshticës, disa metra larg vijës kufitare. Vendndodhja e 32-vjeçarit u gjet falë informacioneve të grumbulluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›