E Martë, 3 Nëntor 2026

Tentuan të vrasin për hakmarrje “kokën” e trafikut të drogës, SPAK kërkon burg për 2 të fortët dhe ish-shefin e krimeve

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka dhënë pretencën për Rexhep Rapin i njohur dhe si Kep Arapi, nipin e tij Algert Rapin dhe ish-shefin e krimeve në Policinë e Shtetit Dedan Gjoni.

Për Rexhepn Rapin SPAK ka kërkuar dënimin e tij me 7.6 vite burg. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar u kërkua dënimi me 5 vjet burg.

Sa i përket nipit të tij, Algert Rapi, nga 7.4 vite burg, SPAK kërkoi dënimin me 4.8 vite burg. Gjithashtu, e njëjta kërkesë u parashtrua nga SPAK edhe për ish-shefin e krimeve në Policinë e Shtetit Dedan Gjoni dhe ish-shefin e krimeve në komisariatin nr. 6, Dejvi Gjermenin. Ndaj tyre u kërkua dënimi me 4.8 vite burg me gjykim të shkurtuar.

Të gjithë të lartpërmendurit akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss Plaku, kryer në bashkëpunimin, si pjesë e “grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

“Në shenjë hakmarrje të vrasjes së shtetasit Sali Rapi, i pandehuri Rexhep Rapi është organizuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku. Krijuesi i grupit të strukturuar rezulton, se është i pandehuri Rexhep Rapi, i cili për shkak të dështimit në tre raste të mëparshme për të vrarë shtetasin Xhevdet Kiss (Plaku), konkretisht dy herë në Durrës dhe një herë në Tiranë, për shkak të hasmërisë, ka krijuar këtë grup me qëllim vrasjen e Xhevdet Kiss (Plaku), ku në përbërje (pjesëmarrës në grup) kanë qenë lidhje familjare Algert Rapi (nipi i tij),  Dejvi Gjermëni, Dedan Gjoni dhe i ndjeri Fatjon Dervishi (Toqe/Tole) (për të cilin nuk mund të fillohet procedim penal, pasi është vrarë pas një atentati me armë zjarri më datë 27.09.2023, në Sukth, Durrës)”, thuhet në dosjen hetimore të SPAK.

Xhevdet Plaku njihet si koka e një grupi kriminal të trafikut të drogës në Itali, ndërsa është akuzuar për vrasjen e Sali Rapit në fillim të viteve 2000 dhe katër vite pas ngjarjes u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Savonas në Itali.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›