E Martë, 3 Nëntor 2026

Transporti publik në Tiranë, Memaj: Duhet infrastrukturë e dedikuar dhe subvencione nga shteti

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj është shprehur se transporti publik ka përmirësime të ndjeshme në cilësi, por shton se ka ende problematikë dhe mund të bëhet shumë më shumë për këtë kategori.

Në një intervistë për RTSH 24, Memaj vuri theksin te infrastruktura e dedikuar për transportin publik por edhe subvencionet nga shteti për kategoritë e caktuara, heqjen e akcizës së naftës dhe uljen e pragut të TVSH. Të gjitha këto, tha Memaj, nëse do të mundësoheshin do të siguronte një transport publik shumë më cilësor dhe më efektiv për qytetarët.

“Për transportin urban korsitë e dedikuara dhe stacionet me tabela elektronike janë të nevojshme. Ka një projekt për tre linja që do të kenë korsitë e dedikuara aty ku dhe mundësohet. Kjo do të siguronte një shërbim më të shpejtë dhe cilësor. Pjesa më e madhe e problematikave vijnë për shkak të mungesës së infrastrukturës. Ne mundohemi me aq mundësi financiare dhe mjete që janë të krijomë një shërbim cilësor dhe të shpejtë. Sigurisht që ka vend për më mirë. Një nga pikat ka qenë heqja e akcizës së karburantit për transportin urban, heqja e taksës së qarkullimit dhe ulja e pragut të TVSh. Po të kishte ndërhyrje nga shteti do të lehtësonte pozitat e operatorëve që do të investonin në një shërbim më cilësor. Por nuk janë marrë për bazë asnjë nga kërkesat tona”, tha ai.

Lidhur me vendim e qeverisë për udhëtimin e pensionistëve falas në transportin publik nga 1 janari 2025, Memaj u shpreh se janë ende në bisedimet përfundimtare për mënyrën se si do të funksionojë dhe subvencionimet që do të merren nga shteti.

“Çdo operator mirëpret paketat sociale të kategorive të veçanta. Ne kemi transportin e kategorive të caktuara dhe nuk marrim subvencion edhe pse na takon. Kjo me pensionistët mirëpritet, por jemi në pritje si do jetë subvencionimi dhe çfarë kushtesh do ketë. Nga komunikimet jemi në fazën përfundimtare se si do funksionojë, do jetë si me studentët ku pensionistë me kartën e pensionistit, do marrin një abone të përgjithshme dhe do subvencionen nga shteti”, tha ai.

Një nga risitë e transportit publik në sezonin veror ka qenë pikërisht futja e tij në Google Maps ku qytetarët dhe turistët i shihnin online linjat dhe destinacionet ku do shkonin si dhe orarin e autobusit. Për Memajn kjo pati një impakt pozitiv, ndërsa kërkoi që ato të përditësohen në kohë reale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›