E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelenë, aksion për pastrimin e Kalasë

TEPELENË- Bashkia e Tepelenës ka nisur një aksion disa ditor për pastrimin e mjediseve të kalasë së qytetit nga mbeturinat dhe plehrat e shumta të grumbulluara prej rreth 20 vitesh.

Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peci tha se, është në nderin e institucionit që ai drejton që ti kthejë kalasë pamjen e dikurshme si monument kulture dhe jo si një kazan mbeturinash.

"Pavarësisht kush janë shkaktarët e kthimit të kalasë në një kosh të madh plehrash, pavarësisht indiferencës së treguar në vite nga qeveritë vendore, kalaja mund dhe duhet të kthehet në identitetin e saj dhe në lavdinë e dikurshme si monument kulture", deklaroi Peci, duke shtuar se, krahas pastrimit të gjithë teritorit brenda dhe jashtë kalasë, do të ndalohet kategorikisht hedhja e mbeturinave nga banorët apo pronarët e lokaleve.

Largimi i plehrave, mbeturinave të ndryshme dhe lëndëve inerte në kalanë e Tepelenës bëhet për herë të parë me përqëndrim kaq të madh forcash dhe mjetesh të ndërmarrjes komunale të qytetit, por edhe punonjësve të tjerë në varësi të bashkisë.

Punonjësit po pastrojnë mjediset e kalasë në të gjitha hapësirat, duke larguar plehrat, mbetjet ushqimore, ato urbane dhe gjithçka tjetër.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›