E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, plagosen ish-ministrja e Kulturës dhe bashkëshorti

Esmeralda Uruçi dhe bashkëshorti i saj janë përplasur nga një makinë në autostradën Tiranë-Durrës. Ndodhen në spital në gjendje të rëndë

Ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi dhe bashkëshorti i saj kanë mbetur të plagosur gjatë një aksidenti automobilistik. Përplasja ndodhi dje në autostradën Tiranë-Durrës, ku dy bashkëshortët Uruçi po udhëtonin me makinën e tyre. Burime nga policia pohuan se makina me targa TR 8580 J e bashkëshortëve Uruçi, është përplasur rëndë nga një makinë tjetër, e cila është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia bën me dije se ish-ministrja Uruçi dhe bashkëshorti i saj kanë marrë plagë të rënda nga aksidenti. Ata janë nisur me urgjencë në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku u janë nënshtruar terapive intensive. Nga ana tjetër, policia është në kërkim të shoferit të automjetit të dytë, targat e së cilit janë identifikuar si TR 6058 K, i cili u largua nga vendi i aksidentit duke braktisur dy bashkëshortët në mëshirë të fatit. Policia ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, i cili paraprakisht mendohet të jetë kryer për shkak të shkeljes së normave të shpejtësisë dhe terrenit të lagësht e motit të keq. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore në vendin e ngjarjes, policia rrugore ka marrë në pyetje edhe dëshmitarë, të cilët kanë identifikuar shpejtësinë dhe lagështinë në rrugë si shkaqe të aksidentit. Burime nga Spitali Ushtarak bënë me dije se ish-ministrja e Kulturës ka dalë nga gjendja kritike, ndërsa bashkëshorti i saj vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›