E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelenë, shoqatat atdhetare protestojnë kundër Bollanos dhe Kserës

>Si rrallë ndonjëherë, Tepelena është karakterizuar nga protesta popullore në mbrojtje të dy të rinjve, të cilët akuzohen nga drejtësia shqiptare për tubim të paligjshëm. Përfaqësues të disa shoqatave atdhetare si dhe qytetarë të Tepelenës dhe Memaliajt, kanë protestuar dje në sheshin qendror të qytetit, kundër kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano dhe prefektit të Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera. Me thirrjet Poshtë Bollano dhe Spiro Ksera, protestuesit kanë mbështetur dy të rinjtë nga fshati Toç i Tepelenës, të cilët disa muaj më parë, kanë qenë nismëtarët e një proteste paqësore nacionaliste të zhvilluar kundër kryebashkiakut të Himarës dhe prefektit të Gjirokastrës, në aksin kombëtar Tepelenë-Ballsh. Protestën, e cila është mbajtur në orët e mesditës së djeshme, e kanë udhëhequr drejtues të shoqatave të ndryshme atdhetare si ajo e Mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve, Çamëria, Fieri etj. Këta të fundit kanë dalë në mbështetje të të dy të rinjve, Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, të cilët akuzohen nga organi rajonal i akuzës së Gjirokastrës, për organizim të një tubimi nacionalist në qershor të vitit të kaluar kundër Vasil Bollanos dhe Spiro Kserës, dy prej drejtuesve kryesorë të OMONIA-
Protesta
Tubuesit kanë kërkuar që të ndalohen të gjitha veprimet antikombëtare dhe njëkohësisht lirimin e dy të rinjve nga çdo akuzë e ngritur. Pasi kanë protestuar për rreth një orë, duke sfiduar dhe kushtet e këqija të motit, protestuesit janë drejtuar më pas në ambientet e godinës së Gjykatës së Tepelenës, ku morën pjesë në seancën gjyqësore në ngarkim të të dy të rinjve. Seanca e radhës në ngarkim të Hasanbegajt dhe Halilit, është shtyrë për të tretën herë radhazi për mosparaqitjen e prokurorit të çështjes Përparim Melaj, për arsye shëndetësore. Kryesuesi i seancës së djeshme gjyqësore, Shkëlqim Mustafa ka deklaruar shtyrjen e procesit si rezultat i mosprezencës së prokurorit. Ndërkohë, avokati mbrojtës i të rinjve, e ka konsideruar absurde mungesën e prokurorit të çështjes, duke kërkuar nga kryesuesi i trupit gjykues, tërheqjen e vërejtjes me argumentin e pengesës së zhvillimit gjyqësor. Në seancën e djeshme gjyqësore nuk u paraqitën as dëshmitarët e ngjarjes dhe në kushte të tilla, gjykatësi Mustafaj vendosi shtyrjen e seancës për në datën 28 janar. Duke qenë sinkron me zhvillimet e kësaj ngjarjeje, dje në qytetin e Gjirokastrës janë shpërndarë fletushka me përmbajtje frazash nacionaliste. Ashtu si në ditët e fundit të dhjetorit, edhe dje në ambientet e dukshme të qytetit ishin ngjitur fletë parulla ku denoncohej policia e Tepelenës për mohimin e tubimit të qytetarëve, duke marrë si shembull rastin e dy të rinjve të sipërpërmendur, të cilët akuzohen për tubim ilegal. Kjo qeveri kërkon burgosjen e dy djemve të rinj për të vetmin mëkat të tyre, atë të ushtrimit të së drejtës kushtetuese për mbrojtjen e flamurit. Liria është në rrezik, por askush nuk mund të na pengojë të themi të vërtetën që mbrohet me ligj, thuhet në këtë fletushkë në krye të së cilës qëndron flamuri kombëtar shqiptar. Prokuroria ashtu si dhe qeveria akuzohen në këtë deklaratë, e cila nuk ka për autor askënd. Prokuroria duhet të hapë çështje për ata që vrasin emigrantët tanë, që ngrenë flamurin e shtetit fqinj në territorin tonë e djegin të tyrin. Ky shtet dhe kjo qeveri, duhet të padisë ata funksionarë që mbështesin qarqet antikombëtare dhe jo Orgen Hasanbegajn dhe Luan Halilin sepse treguan se janë të vetmit që u dhimbset toka, gjuha, zakonet dhe flamuri, thuhet në këtë deklaratë. Në fund, deklaratëshkruesit anonimë u janë drejtuar qytetarëve se liria është shumë e shenjtë për tu lënë në dorën e disa njerëzve, e aq më pak të shtetit që tregon dita-ditës se sështë me ligjin, por me Maliqin.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›