E Diel, 1 Nëntor 2026

Destinacionet turistike të Gjirokastrës, në një fletëpalosje

>Pa dyshim që Gjirokastra është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë për vlerat e saj arkitektonike dhe historike. Qyteti dominohet nga një kështjellë e mrekullueshme, dëshmitare e kohërave të ndryshme. Në kuadër të vlerave të saj kulturore dhe historike, për herë të parë Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare për Qarkun e Gjirokastrës ka nxjerrë në qarkullim fletëpalosjen me gjashtë objektet më të rëndësishme monumentale që ndodhen në qytetin e Gjirokastrës. Sipas drejtuesve të kësaj drejtorie, tashmë turistët e vendas dhe të huaj që do të vizitojnë qytetin e gurtë do të kenë një mundësi më shumë për të njohur më mirë me vlerat historike të këtij qyteti. Në këtë fletëpalosje të interesuarit që vijnë në qytetin e Gjirokastrës do të gjejnë objektin turistik që ata dëshirojnë ta vizitojnë, do të lexojnë edhe disa informacione të shkurtë, por të veçanta, duke filluar nga historiku i qytetit të gurtë deri në ndërtimin e plotë të zonës muzeale. Në këtë fletëpalosje tregohet që Gjirokastra është një destinacion turistik mjaft joshës, sepse ky qytet ofron mundësi turizmi në çdo stinë. Gjirokastra është shpallur Qytet Muze nga shteti shqiptar në vitin1961 dhe Pasuri Botërore e UNESCO-s në vitin 2005. Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Fillimet e qytetit te Gjirokastrës sipas studiuesit Apollon Baçe mendohet të jene në shek XIII pas rënies së Hadrianopolit. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jetë filluar nga Prijësi Shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit. Turizmi në Gjirokastër ka marrë zhvillim të madh pas viteve 90. Shumë të huaj vizitojnë Gjirokastrën për vlerat arkitekturale të ndërtimit të shtëpive me gur e çative me dërrasa. Turisti në Gjirokastër mund të vizitojë Qendrën Historike me Pazarin dhe objektet e saj karakteristike, si dhe Kështjellën ku përveç Muzeut të Armeve të ofron pamje shumë të bukur të qytetit nga lart. Në Gjirokastër vizitori mund të vizitojë edhe Muzeun Etnografik, Shtëpitë karakteristike të Zekatëve , Skendulatëve , Babametos ,Kadaresë etj. Në Luginën e Drinos gjenden disa site arkeologjike, ku më të rëndësishmit janë "Antigonea", rreth 14 km nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës, si dhe siti romak i Hadrianopolit në afërsi të fshatit Sofratikë .Mbresëlënëse janë edhe kishat paleokristiane e Labovës dhe Peshkëpisë. Kalaja e Gjirokastrës si përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336 dhe në këto vite ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›