E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayerni bëri shumë gabime

Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes ndihet i preokupuar për humbjen në udhëtim që e pësoi ekipi i tij nga Baseli, e cila ia komplikoi punët për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Humbja 1:0, e pësuar të martën mbrëma e vazhdoi periudhën e zezë të skuadrës Bavareze.

“Ndeshja ishte e ekuilibruar, me mundësi për gol nga të dyja skuadrat. Mirëpo, ne humbëm 1:0 dhe situata në lojën e kthimit nuk është ajo idealja. Është një situatë e vështirë, në të cilën jam gjendur edhe në të kaluarën. Po bëjmë shumë gabime dhe alarmi tashmë është ndezur. Për fat, e kemi edhe lojën e kthimit, ku duhet t’i sistemojmë gjërat. Duhet të jemi më të qetë dhe më të disiplinuar. Sonte, jo gjithçka shkoi keq”, përfundoi trajneri gjerman.

Në anën tjetër, Heiko Vogel, trajner i Baselit i ka komplimentuar lojtarët e tij për paraqitjen e bërë ndaj gjigantit gjerman, sidomos në pjesën e dytë.

“Në pjesën e parë nuk isha i kënaqur, sepse përpara nuk dhamë gjithçka. Në mbrojtje megjithatë ishim OK. Në pjesën e dytë, u kërkova lojtarëve që ta shfrytëzonin më mirë posedimin e topit dhe kështu ndodhi. Tash duhet ta shohim me optimizëm lojën e kthimit, edhe pse e dimë se nuk do të jetë e lehtë të nxjerrim rezultat të mirë në Munich. Por, grupi i lojtarëve është i bashkuar, e ka krijuar një identik dhe ka besim për kualifikim”, deklaroi Vogel pas ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›