Tërbuni në FSHF, kërkon falje

Ishte pikërisht presidenti i ekipit të Tërbunit, njëkohësisht edhe kryebashkiaku i Pukës, Rrustem Struga, ai që është pritur në një takim nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka, dhe sekretari i Përgjithshëm, Arben Bici. Bëhet fjalë për një takim me dyer të mbyllura, tema kryesore e të cilit ishte incidenti i së shtunës, ku mbeti i plagosur rëndë gjyqtari Mentor Sopjani dhe u lënduan edhe dy ndihmësit e tij.
Kryetari i Bashkisë së Pukës ka pohuar se kishte komunikuar edhe gjatë ndeshjes me presidentin e FSHF-së, të cilit i kishte thënë: “Më thuaj që ta tërheq ekipin, se me këtë gjyqtar do të kemi probleme”. Ai rrëfen se ajo që kishte paralajmëruar, ndodhi më pas. Dhe për këtë shikon vetëm një fajtor: gjyqtarin. “Fajtori e ka emrin Mentor Sopjani, nënvizon Struga. Më sjelljet e tij të qëllimta, me gjestet e tij ofenduese, me gjykimin e tij jashtë standardit, provokoi 3 mijë tifozë. Një gjë e tillë nuk është parë kurrë në Pukë, ku kurrë më parë nuk ka pasur ndonjë incident, ku ‘fair-play’ ka karakterizuar çdo ndeshje. Por ky gjyqtar e kishte vendosur që më parë se çfarë do të bënte, pasi kishte futur në xhep 5 mijë euro. Sa të ketë gjyqtarë të tillë,askush nuk mund ta garantojë se nuk do të ketë ngjarje të tilla”.
Komisioni i Disiplinë në federatë pritet të marrë sot në shqyrtim ngjarjen dhe gjasat janë për një dënim të ashpër (“Dënim maksimal dhunës”, por t’i referohemi komunikatës për shtyp të FSHF-së). Një dënim kapital duket se i ka trembur drejtuesit pukjanë, të cilët kanë frikë se mos komisioni do të influencohet edhe nga jehona e madhe mediatike, që i është bërë ngjarjes.