E Martë, 3 Nëntor 2026

Tërheqja e investimeve të huaja, Binaj pret ambasadorin holandez

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, dhe ekipi i tij, zhvilluan një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj dhe ekipin e tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Ambasada e Holandës thekson se, përpjekjet e administratës tatimore për forcimin e mekanizmave të mbledhjes së taksave dhe rritjen e transparencës krijojnë një mjedis më tërheqës për bizneset dhe investitorët e huaj, duke e përafruar Shqipërinë me parimet e tregut të BE-së.

“Mezi presim të forcojmë bashkëpunimin holandez-shqiptar në këtë fushë”, nënvizon ambasada holandeze.

Holanda renditet ndër investitorët kryesorë në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë stoku i investimeve holandeze shënoi 2,54 miliardë euro në fund të vitit 2024. Totali i investimeve holandeze u rrit me 14 % krahasuar me vitin e kaluar.

Investimet holandeze kryesojnë në energjetikë dhe industrinë nxjerrëse, që janë edhe sektorët që kryesojnë me vlerat më të mëdha të investimeve të huaja.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›