E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Kemi kërkesa për investime në qindra milionë euro në turizëm

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se kërkesat për investimet në turizëm arrijnë qindra miliona euro.

Nga Elbasani, ku mori pjesë në prezantimin e projektit për transformimin e zonës së Metalurgjikut, e cila nga një trashëgimi rrënojash industriale do të kthehet në një Park Shumëfunksional, i cili do të hapë perspektiva të reja për Elbasanin, Rama tha se janë rritur kërkesat për investime nga kompani të huaja.

“Kemi hapur thirrjen për parkun teknologjik Durana, sa kemi hapur thirrjen na ka ardhur interesimi nga 70 e ca kompani dhe sa janë 35 që e kanë konfirmuar nga të cilat kompani të huaja që nuk kanë qenë asnjëherë në Shqipëri. Nëse do të ishte hapur 5 vite më para nuk do të vinte asnjë njeri, se nuk kishin besim. Ne sot kemi kërkesa për investime qindra milionë euro në turizëm, mos të them miliardë. Deri para ca vitesh, investimet në turizën ishin të bazuara vetëm tek shqiptarët çfarë ndërtonin vet. Sot janë disa miliardë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se me hyrjen në Bashkimin Europian vendi do të përfitojë çdo vit 1 miliardë euro.

“Prandaj insistoj se ne duhet të futemi në Bashkimin Europian dhe duhet të futemi tani që është hapur dera, është hapur dera se janë puqur yjet. Ata duhet të kenë shumë të qartë interesin tyre, është si biznes. Dhe tani interesi i tyre është ky që të marrim të tjerë brenda për arsye gjeopolitike. Kjo mundësi nuk është se u hap dhe nuk do të mbyllet. Do mbyllet prap, pavarësisht se çfarë bën ti. Duhet të përputhen interesat tani, ne duhet të hyjmë brenda. Me futjen në BE do të përfitojmë 1 miliardë euro në vit. Me futjen atje 300 milionë euro në vit i ka vetëm bujqësia. Në momentin që futemi brenda është 90% grant. Të gjithë vendet e lindjes 90% i kanë bërë me grantet e BE-së. Ne po bëjmë korridorin 8 me rrugë dhe hekurudhë edhe korridorin Blu dhe jemi akoma në fazën më të parë që po marrim fonde, janë kredira jo grante. Duhet të bëjmë këtë hyrje se gjithçka do ndryshojë”, tha Rama.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›