Prokurorët: Akuza jo kurban i politikës
Shoqata e prokurorëve është shprehur dje kundër “pazareve” politike për draftin ligjor për Prokurorinë
TIRANË- Shoqata Kombëtare e Prokurorëve reagon ashpër kundër marrëveshjeve politike që bënë “kurban” projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionim e Prokurorisë”, të kaluar dy ditë më parë për votim në Kuvend nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve pranë këtij institucioni. “Ne mendojmë se marrëveshjet e partive politike, nuk duhet të prekin pavarësinë e organeve të drejtësisë. Për këtë arsye, meqenëse ligji nuk ka kaluar ende në seancë parlamentare për votim, ne si Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, u kërkojmë partive politike parlamentare, deputetëve të Parlamentit shqiptar, që të marrin parasysh disa sugjerime të bëra nga ana jonë, pasi kjo do ta bënte projektligjin për Prokurorinë të qëndrueshëm për një kohë të gjatë, eficent dhe të plotësuar në tërësinë e tij”,- thuhet në reagimin e shoqatës së mbi 300 prokurorëve, të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i kësaj shoqate, prokurori Shkëlqim Hajdari. Sipas reagimit të tyre, nënvizohen tri pikat e kundërshtueshme të neneve të veçanta të përpiluara në draftin ligjor që pritet të votohet në Parlament në seancën e radhës plenare. Krahas ndryshimeve të bëra në këtë draft ligjor, Shoqata e Kombëtare e Prokurorëve sugjeroi me anë të reagimit, që, deputetët, para se të votojnë në Parlament këtë draft ligjor, të përfshinë në të edhe disa ndryshime, siç janë rregullimi me ligj i imunitetit të prokurorëve, heqja e të drejtës së ministrit të Drejtësisë për të raportuar në Kuvend për punën e Prokurorisë. Si dhe për çdo largim nga puna të një prokurori, ai të ankohet dhe të kërkoj të drejtën e rikthimit në punë pranë Gjykatës së Lartë, e cila përveç shqyrtimit të kërkesës, të shprehet edhe në lidhje me rikthimin e prokurorit në punë, në rast se vërtetohet largimi i tij nga detyra i pambështetur në ligj. “Ne si shoqatë jemi për rishikimin e nenit 36 të ligjit aktual, ku është pranuar nga të gjithë, që nuk përbën imunitet për Prokurorët, për t’u hetuar e gjykuar për çdo vepër penale që ata mund të kryejnë, por të rregullohet statusi i tyre. Po kështu, ne mendojmë se neni 27 i këtij projektligji, i cili ndryshon nenin 56 të ligjit aktual, rrit aksesin e ekzekutivit për të kontrolluar nëpërmjet ministrit të Drejtësisë punën e prokurorëve, për të raportuar në Parlament rezultatet e këtij kontrolli dhe, më e rëndësishmja, i jep të drejtën t’i rekomandojë Prokurorit të Përgjithshëm marrjen e masave disiplinore për prokurorët, deri në shkarkim të tyre nga detyra. Këto dy nene, megjithëse të kundërshtuara nga prokurorët, Komisioni i Ligjeve nuk i mori në konsideratë. Për këtë arsye, për të qenë të sigurt dhe të qetë në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorëve duhet t’u garantohet me ligj, të paktën mbrojtja e tyre në ushtrimin e funksioneve. Gjithashtu, shoqata kërkon që neni 17 i projektligjit të ndryshojë dhe të riformulohet edhe nenin 34 i këtij ligji aktual, ku parashikohen masat disiplinore të shkarkimit nga detyra të prokurorit. Kërkesa për rikthim në punë të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë dhe jo ajo e Apelit, dhe togat e zeza të shprehen për rikthimin në punë”,- thuhet në reagimin e Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve. Sipas tyre, këto sugjerime u janë bërë prezent në rrugë zyrtare anëtarëve të komisionit të ngritur për këtë qëllim, përfshirë edhe e misionin EURALIUS-it, Misionin e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara (OBDAT), etj.