E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Berisha, rihapen magazinat doganore

Nga Artur Korriku
Magazinat doganore në portin e Durrësit u mbyllën 3 vjet më parë, për "favorizim kontrabande". Pas një modifikimi të ligjit, qeveria ka vendosur të lejojë rihapjen e tyre. 

DURRES Një urdhër i posaçëm i qeverisë rihap magazinat doganore në portin e Durrësit, të mbyllura 3 vjet më parë. Duket se kriza ekonomike botërore dhe ngërçi që ka bllokuar një pjesë të mirë të biznesit të vendin tonë, e kanë detyruar shtetin që të rihapë magazinat doganore për të gjitha llojet e mallrave të importit. Ato mund të ngrihen jo vetëm brenda territorit të portit, por edhe jashtë tij.
VENDIMI
Burime nga dogana e Durrësit sqarojnë, se pas një modifikimi të ligjit për funksionimin e magazinave doganore, qeveria ka vendosur të lejojë rihapjen e tyre. Në vitin 2005, me përjashtim të magazinave doganore të karburanteve, pothuajse të gjitha të tjerat u mbyllën dhe pronarët nuk u licencuan nga ana e institucioneve përkatëse. Dogana në atë kohë organizoi një fushatë për të grumbulluar paratë e subjekteve të cilat kishin deklaruar mallrat e tyre, por që kishin kërkuar afate për shlyerjen e detyrimeve ndaj doganës për mungesë të likuiditeteve. Atëherë u tha se sipas të dhënave që kishte mundur të siguronte qeveria, rezultonte se nëpërmjet magazinave doganore ushtrohej kontrabandë apo kryhej evazion fiskal. Këto ngjisnin për shkak se subjektet që dispononin magazina doganore nuk deklaronin të gjithë sasitë e mallrave të magazinuara. Të tilla kanë qenë magazinat e duhan- cigareve, ato të produkteve ushqimore, të materialeve të ndërtimit, e të tjera të kësaj natyre.
VENDIMI
Ka disa ditë që subjektet e mëdha të biznesit janë njoftuar për vendimin e fundit të qeverisë, i cili ka të bëjë me liberalizimin e licencimit të magazinave doganore. Bizneset janë njoftuar se nuk do të ketë kurrfarë kufizimi për llojshmërinë e mallrave që do të mund të magazinohen, mjafton që të plotësohen kriteret e vëna për sigurimin e licencës. Me marrjen e këtij vendimi, shteti pretendon se e ka gjetur mekanizmin e duhur për të evituar kontrabandën dhe evazionin fiskal, pasi për të siguruar licencën, çdo subjekt i interesuar është i detyruar që të depozitojë një garanci bankare të barabartë me shumën e taksës doganore. Në doganën e Durrësit mësojmë se pas këtij njoftimi ka pasur interes nga ana e subjekteve të fuqishme të cilat operojnë me portin detar, për t'u licencuar në këtë fushë. Një i tillë është kompania "KURUM", e cila prej vitesh është pronare e kantierit detar. Ajo është në proces licencimi për të pasur në pronësi 2 magazina doganore brenda territorit të portit. Po kështu, interes ka për magazina frigoriferike, për magazina cigaresh e për lloje të tjera mallrash, të cilat kërkojnë kohë për t'u hedhur në treg.
PËRPARËSITË
Drejtori i Doganës së Durrësit, Arben Ibro sqaron se "leverdia për të pasur magazine doganore është e madhe, pasi i krijon frymëmarrje bizneseve të cilat nuk janë të detyruara të paguajnë menjëherë në doganë detyrimet e tyre, por u jep kohë që të shesin e të krijojnë kapitalet e nevojshme". Regjimi i magazinave doganore ekonomikisht e ndihmon shumë biznesin, pasi mallrat që hyjnë brenda tyre janë të pezulluara përkohësisht nga pagesa e detyrimeve doganore dhe këto detyrime shlyhen në momentin që mallrat hidhen në treg. Biznesi, duke përdorur magazinat doganore, nuk i mban të bllokuara mjetet e tij financiare deri në shitjen e mallit, por i përdor ato për shlyerjen e detyrimeve doganore vetëm në momentin e shitjes së tij. Porti është vënë në ndihmë të doganës, duke vënë në shërbim të magazinave doganore objektet e tij. Duket se ky liberalizim në sektorin e magazinave doganore vjen në një moment të vështirë që kalon biznesi, i cili lidhet jo vetëm me krizën financiare botërore, por edhe me një ngërç që ka kohë që e ka bllokuar atë. Të dhënat më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të bëra publike disa ditë më parë, tregojnë për 60 milionë euro të munguara në sistemin doganor të vendit tonë brenda një harku kohor 3-mujor, për shkak të uljes së nivelit të importit.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›