Në gjimnaze, vetëm ata mësues që kanë master
Ata që kanë kualifikimin më të lartë do të përgatisin maturantët dhe do quhen "pedagogë të shkollave të mesme".Kategorizimi sipas viteve të gjimnazit ku jep mësim do të shoqërohet edhe me diferencime në pagë.
TIRANE- Për t'u bërë mësues i shkollave të mesme nuk do të mjaftojë vetëm diploma e shkollës së lartë. Specialistët e ministrisë së Arsimit po hartojnë një draft të ri, sipas të cilit, kualifikimet pasuniversitare do të jenë një kriter i rëndësishëm jo vetëm për të punuar në gjimnaze, por edhe për të përcaktuar vitin se ku do të japin mësim. Ndërkohë që po në bazë të këtij kategorizimi do të ketë edhe diferenca në pagë. Masteri do të jetë i detyrueshëm edhe pë rata që kanë mbaruar 4-vjeçaren.
Mësues në gjimnaze
Ata që do të përzgjidhen për të dhënë mësim në shkollat e mesme, do të duhet të plotësojnë disa kritere kualifikuese. Specialistët që po merren me hartimin e kritereve të reja, shpjegojnë se në bazë të këtyre kritereve do të seleksionohen ata mësues që do të japin mësim në vitin e parë, ata që do të japin në vitin e dytë dhe ata që do të mësojnë maturantët, pra vitin e tretë. "Duhet që patjetër mësuesit, përveç diplomës së shkollës së lartë, të kenë edhe kualifikime, sidomos Master, përata që kanë mbaruar katërvjeçaren, dhe ciklin e dytë të studimeve, për ata që janë diplomuar me Bolonjën. Pasi do të ketë një riformatim të cilësisë së arsimtarëve që do të japin mësim nëpër gjimnaze. Kështu ata që kanë nivelin më të ulët të kualifikimeve, përveç shkollës së lartë, do të japin mësim në vitet e para, ata që kanë master do të japin mësim në vitin e dytë dhe ata që kanë nivelin më të lartë të kualifikimeve do të japin mësim në vitin e tretë. Pra do të përgatisin maturantët dhe pikërisht këta që do të merren me maturantët do të kenë një lloj statusi të veçantë, "pedagog të shkollës së mesme", - shpjegojnë specialistët që po merren me hartimin e këtij drafti. Ndërkohë që ata shtojnë se kualifikimet, do të shërbejnë për të bërë edhe diferencimin e pagave të mësuesve. "Sigurisht që përcaktimi i viteve ku do të japin mësim në bazë të kualifikimit që ka secili do të shoqërohet edhe me shtesë mbi pagë, në mënyrë që të justifikohet puna e secilit prej tyre", - kanë sqaruar specialistët. Ata shtojnë se edhe për ata që kanë mbaruar 4-vjeçarin, nëse duan të ushtrojnë profesionin e mësuesit në gjimnaze, do të jetë i detyrueshëm masteri në profilin për të cilin janë diplomuar. Drafti është ende në hapat e parë dhe specialistët po zhvillojnë takime, për të marrë të gjitha sugjerimet e duhura nga të gjitha grupet e interesit. Vetëm, pas kësaj ai do t'u dërgohet palëve për të marrë më pas formë ligjore.
Rritja në kategori
Të gjithë ata mësues, të cilët kanë plotësuar vitet e punës dhe duan të rriten në kategori, duhet të plotësojnë edhe formularin përkatës. Në drejtorinë Arsimore të Tiranës është shpërndarë një formular i tillë që duhet të plotësohet në dy kopje: njëri do të dorëzohet në drejtorinë Arsimore, ndërsa kopja tjetër do të ruhet në drejtorinë e shkollës ku punon aktualisht mësuesi. Formularin do ta plotësojnë të gjithë ata mësues, të cilët duan të përfitojnë kategorinë e II-të, III-të dhe të katërt. Formulari përmbën të dhëna të detajuar për çdo mësues, midis të cilave edhe shkolla e lartë që ka mbaruar, universiteti, viti i diplomimit, shkolla ku punon (Cikli i ulët, 9-vjeçare apo gjimnaz), lënda që jep mësim dhe lënda për të cilën ai do t'i nënshtrohet testimit. Të gjithë ata mësues që do të rezultojnë kalues në atestimin për rritjen në kategori do të përfitojnë edhe shtesën mbi pagë, që është e ndryshme në bazë të kategorisë që fiton. Por edhe nëse nuk rezultojnë fitues në testin për rritjen në kategori, nuk do të ketë ndëshkime, vetëm se "mbetësit" nuk përfitojnë shtesën mbi pagë. Atestimit i nënshtrohen të gjithë ata mësues që deri me datë 31 dhjetor 2008 plotësojnë vjetërsinë e punës në arsim: nga 5-9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10-19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit, 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5% për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%. Mësuesi, i cili s'kualifikohet në provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)