Apeli rrëzon kërkesën e Kastriot Jaupit
VLORË - Gjykata e Apelit të Vlorës dje ka hedhur poshtë kërkesën e Kastriot Jaupi për rihapjen e dosjes për vrasjen e kolonel Ilir Ngresit. I "forti" i Beratit pretendon pafajësinë. Ai ka kërkuar rihapjen e dosjes, pasi vendimi ndaj tij është marrë në mungesë dhe nuk ka mundur të paraqesë para trupit gjykues, provat dhe faktet për të provuar pretendimet e tij. Por kërkesa e të dënuarit me burgim të përjetshëm është hedhur poshtë nga trupi gjykues. Kastriot Jaupi u ekstradua një muaj më parë nga Spanja në Shqipëri. Jaupi, dikur mik dhe më pas armik i killerit të Beratit, Altin Dardha (i vrarë), është dënuar për vrasjen e kolonelit të policisë, Ilir Ngresi në dhjetor të vitit 2000. Mësohet se Kastriot Jaupi qëlloi mbi Ngresin për motive hakmarrjeje, pasi gjatë një operacioni policor të organizuar nga ky i fundit në vitin 1997 në Urën Vajgurore, mbeti i vrarë vëllai i tij, Iliri. Gjithashtu, Ilir Ngresi në atë kohë shef krimesh në Berat, po hetonte për ngjarjet e '97-ës, ku Kastrioti ishte jo pak i implikuar. I "forti" i Beratit ishte dënuar dhe në Itali për shfrytëzim prostitucioni, por drejtësia spanjolle e dorëzoi atë në Shqipëri.
(s.g/g.sh/BalkanWeb)